Zahiretë e çmuara të Lugës së Argjendtë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Dikur ishte zakon i shumicës familjeve shqiptare: diku nga fundi i verës nisnim e përgatisnin zahiretë e dimrit, thanin trahananë, petkat ose mishin, bënin salcën e domateve, mbushnin qypat me turshi. Sot rrallëetek e bëjmë, ama këto të bekuara zahire i duam të gjithë. Jo thjesht për nostalgji, apo për të kujtuar ushqimet e të shkuarës, por mund t’i shijojmë fare mirë si pjesë e menusë javore. Të dielat në mëngjes me shijen e trahanasë përshembull janë të dashura për të gjithë. Apo një pjatë me petka në vend të makaronave të supermarketit. Kurse turshive pastaj nuk u reziston askush: janë pjata e përsosur shoqëruese e gjellëve të dimrit.

Por ja që nuk jemi të gjitha kaq nikoqire sa për të të bërë zahiretë. Në ditët e fundit gushtit e kemi mendjen ende tek fundjavat me plazh dhe si zor se mund ta shkëmbejmë këtë plan për të bërë petkat apo për të shtruar turshitë. Por edhe nëse do të donim, ndoshta nuk dimë, ose e dimë që sido që t’i bëjmë, nuk do të konkurrojmë dot me mjeshtërinë e gjysheve dhe petkat tona do ishin ndoshta një kopje me shije të zbehtë në krahasim me ato që kemi ngrënë gjatë fëmijërisë… Por kjo nuk është arsye për të hequr dorë nga zahiretë, sepse ato mund t’i kemi në shtëpitë tona gjithsesi gjatë gjithë dimrit, edhe pa u dashur të mbushim më dollapët (edhe shtëpitë e sotme nuk janë si dikur, nuk kemi më as masandra e aq qilare për të stivuar të tilla ushqime). Ka shumë dyqane që shesin produkte të tilla shqiptare, por unë prej kohësh trahanë e marr tek Luga e Argjendtë. Ka disa lloje trahanash atje, me përbërës të ndryshëm, madje edhe dietike, por unë i mbetem besnike shijes së fëmijërisë sime, trahanasë së thjeshtë me qumësht, të cilës i hedh përsipër djath të skuqur me gjalpë, një tjetër zakon ky nga ato vite ( ngaqë nuk haja thuajse asgjë, ma shoqëronin gati çdo gatim me djathë të skuqur e gjalpë).

Veç trahanasë në zahiretë e para të këtij viti nga “Luga” më erdhën dhe petkat, ato të bardhat, sipas traditës korçare me vezë fshati. Në zahiretë e para në foto janë dhe makaronat pappardelle me miell njëqind për qind bio dhe të zezë sepjesh, çaj mali nga mali i Çikës, Lule Basani nga Tragjasi i Vlorës, verë Moskat e ëmbël e kantinës Lundra të Tiranës, vaj ulliri me livando Subashi nga Marikaj në Tiranë. Bashkë me to dhe një paketim i veçantë, çokollatat artizanale me përbërës verë Lundre Moskat, verë Shesh i Bardhë, vaj ulliri Lundra, shafran Dumreje dhe Livando Shëngjergji, të ideuara nga Dhurata Thanasi e “Lugës së Argjendtë” dhe realizuar nga çokolatieri i pastiçerisë Le Bon Ilir Hysaj.

Një shportë ushqimesh e gjitha me aromë shqiptare është ideja më e mirë për të rigjetur shijen e dikurshme të zahireve në shtëpitë tona, por që mund të jenë një dhuratë e mirë për të gjithë ata që çmojnë kuzhinën dhe të ushyerin e mirë e gatimin e shtëpisë.