Marko Polo i kërkoi në Kinë, por jufkat i kishte në Dibër

7 muaj me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Në Itali ia dinë për nder Marko Polos që i solli makaronat prej Kinës. Por, në fakt është lodhur më kot eksploratori deri andej larg, pasi dibranët kanë bërë jetë e mot jufka. Për fat kuzhina e mirë është e thjeshtë. Pula (madje unë i shtova dhe ca copa mish viçi) me jufka është një pjatë që do na nderonte në ambjentet më të larta të kuzhinës botërore.

Përbërësit:

500 gramë jufka

1 pulë

500 gramë mish viçi

250 gramë gjalpë

1 kokërr qepë

Piper i zi

Rozmarinë

3 thelpinj hudhër

1 filxhan çaji verë të bardhë

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Pulën dhe mishin e ziejmë në një kusi për t’i marrë lëngun. Mishrat i vendosim në një tavë me hudhër, pak gjalpë, rozmarinë, piperin e zi. I fusim në furrë të ventiluar, të nxehtë 220 gradë Celcius. Në mes të pjekjes i lagim me verën e bardhë.

Në një kusi hedhim gjalpin që ka tepruar bashkë me pak vaj ulliri. Skuqim qepën, të cilën e kemi prerë hollë. Në kusi hedhim jufkat dhe i kavardisim me qepën. I kriposim. E bëjmë skuqjen duke i përzier vazhdimisht jufkat me zjarr të fortë jo më shumë se 6-7 minuta.

Masën e krijuar e hedhim në tavë. E mbulojmë me lëngun që kemi zier mishrat. I vendosim në furrë të ventiluar, të nxehtë 200 gradë Celcius. Pas dhjetë minutash, kur jufkat e kanë pirë lëngun e heqim tavën. Vendosim mbi to mishrat e pjekur në tavën tjetër me gjithë yndyrën që ato kanë krijuar.

Mbetet vetëm për ta ngrënë, por kujdes; nuk ndodh të çohesh nga tryeza pa e mbaruar të gjithën.