Pesë minuta që bëjnë gourmet; speca të pjekur me hudhër dhe uthull

7 muaj me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Nëse po kërkon sërish një antipastë, sërish një salcë për brusketën apo meze për raki, specat e pjekur me hudhra tani në vjeshtë dhe kurdo është zgjedhja e duhur.

Përbërësit:

5 speca me ngjyra nga ato që piqen

2 thelpinj të mëdhenj hudhër

Uthull (aceto balsamico)

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Specat pasi i lajmë, i thajmë, i pjekim në furrë. Në tavën e pjekjes vendosim letër kuzhine dhe sipër tyre specat. Asgjë tjetër, as vaj, as kripë, vetëm specat. Pasi i pjekim nga të gjitha anët i qërojmë lëkurën.

Një mënyrë për t’i qëruar lehtë është i lëmë pak të ftohen dhe i vendosim në qese kuzhine. Ia mbyllim grykën fort. Pas nja çerek ore ua qërojmë lëkurën shumë lehtë.

Specat e qëruar i presim me shirita. Grijmë hudhrën sipër tyre, shtijmë kripë, vaj ulliri dhe uthull. Nëse dëshironi më shumë shije shtoni majdanoz të prerë hollë. I përziejmë.

Shërbeji dhe ke bërë figurë të lartë në pesë minuta.