Vezët alla-turka mund t’i bëjë dhe kush s’di të skuqe një vezë (e të nderohet)

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Dikur ishte gati gati mburrje: “unë s’di të skuq as edhe një vezë” nënkuptonte se ti ishe një grua moderne, me interesa të mëdha për jetën dhe e kishe kohën aq të çmuar, sa nuk do të doje kurrë ta harxhojë me “gjëra të rëndomta” si kjo e gatimit.

Sot tendenca ka ndryshuar: njerëzit i janë kthyer shtëpisë dhe gatimeve të saj. Madje edhe një vezë e skuqur në shtëpi mund të shijohet si një delikatesë. Ndaj ia vlen ta bëjmë pak më me stil, sidomos nëse jemi me nxitim dhe nuk duam t’i themi vetes si në faj “përfundova të ha vezë”. Mund ta bëjme këtë me stil dhe me krenari nëse provojmë vezët turke. Unë i pashë në televizor, i gjeta në google dhe i provova direkt. Që t’i bëja tamam turke, duhej t’i vendosja mbi humus, por e para humus të gatshëm në shtëpi nuk kisha (duhej vërtetë ta mbaroja këtë punën e drekës për 10 minuta) dhe e dyta, kisha qejf t’i bëja një fotografi këtij tiganit të vogël të sapoblerë. Me këtë rast zbulova se një drekë e tillë e shpejtë nuk bën as enë dhe as kuzhinën pis: gjithë gjithë duhet të lash vetëm këtë tiganin dhe thikën e pirunin.

Përbërësit (për një person):

Dy lugë vaj ulliri; një qepë e vogël e grirë; një thelpi hudhër i grirë hollë; 2 lugë gjelle salcë domatësh; disa kokrra domate qershiza; piper të kuq; një gjysmë filxhan çaji ujë; dy vezë; një fetë djathë të bardhë, për ta shërbyer.

Përgatitja

Në një tigan të vogël nxehim vajin, skuqim aty qepën dhe hudhrën derisa të marrin ngjyrë të artë. Shtojmë salcën e domateve dhe ujin. Kur të jetë duke u përthithur uji shtojmë domatet qershiza të prera dhe piperin e kuq, e rregullojmë me kripë.  Shtojmë vezët kur salca të ketë  përthithur plotësisht uji, i mbulojmë me kapak dhe i lëmë derisa e bardha të jetë skuqur ndërsa e verdha të jetë e lëngshme. I shërbejmë me majdanoz të grirë dhe djathin e thërrmuar sipër.