Tortën e ditëlindjes, bëje mirë, bëje vetë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E di që pastiçeritë tona meritojnë të promovohen, sidomos në situata të vështira ekonomike, por ja që tortat e ditëlindjes të bëra vetë kanë një tjetër lezet. Fillimisht nuk kisha ndërmend ta ndaja këtë recetë në blog, siç do e shihni teksti i përgatitjes është ca i gjatë, dhe të them të drejtën përtoja ta shkruaja, duke menduar se askush nuk është i interesuar t’i futet një pune të tillë. Por pas mbi 150 komenteve vetëm në Instagram dhe shumë e shumë kërkesave në ibox (plus shumë të tilla edhe në Facebook) kuptova që paska shumë si puna ime, që tortën e festës së tyre apo të familjarëve, duan ta bëjnë vetë. Ndaj për të gjithë ju receta është më poshtë, marrë pikë për pikë nga James Olivier dhe e provuar në shtëpinë time që funksionon. Për ta bërë, është shumë më e thjeshtë nga sa mund të mendoni, duhet veç pak kohë dhe ndjekje besnike e recetës dhe jo improvizmim në gramaturë dhe përbërës. Nuk nevojitet asnjë ekstra (përveç mikserit ose rrahësit elektrik). Yjet dhe qirinjtë, të cilat i kam blerë shumë lirë tek Megatek (që më frymëzoi edhe titullin) i dhanë tortës një pamje pak më chic e më mbajtën larg çdo zbukurimi si prej bebesh, që unë si e lindur më 1 qershor nuk u rri dot larg. Kështu pra, i shova qirinjtë në një tortë të rriturish me kënaqësinë që ishte bërë e gjitha në kuzhinën time të vockël.

 

 

Përbërësit

Për kekun:

400 gr gjalpë në temperaturë ambienti, plus pak më shumë për të lyer tavat e pjekjes; 400 gr miell  vetëfryrës; 400 gr sheqer kaf; 8 vezë të freskëta të mëdha; 2 lugë gjellë kakao të hidhur; 2 lugë çaji pluhur pjekës; 150 gr arra të qëruara; 60 ml kafe ekspres e fortë dhe e ftohtë.

Për arrat e karamelizuara, praline (opsionale)

150 gr sheqer kaf, 50 gr arra.

Për kremin e gjalpit:

200 gr gjalpë pa kripë në temperaturë ambienti; 500 gr sheqer pluhur; 30 ml kafe ekspres shume e forte dhe e ftohtë.

Për dekor (opsional)

Pak nga kremi i gjalpit, arra, praline, çokollatë të errët të prerë në copa, kokrra kafeje, kakao.

Përgatitja

Priteni gjalpin në copëza dhe rriheni në mikser bashkë me sheqerin për rreth 5 minuta me shpejtësi të lartë, ose derisa të kthehet në një masë kremoze. Hidhni një e nga një vezët, ndërkohë që vazhdoni rrahjen. Përzieni në një tas miellin bashkë me fryrësin dhe kakaon dhe shtojeni në mikser dhe përziejini butë. Grini më vete arrat dhe shtojini tek brumi bashkë me kafen dhe trazojini të gjitha.

Ndajeni brumin në pjesë të barabarta. Nëse keni dy tava me borde të lëzishme me diameter 20 cm, ndajeni brumin përgjysmë dhe gjysmën ndajeni në dy tava që do t’i piqni njëkohësisht dhe më pas piqni pjesën tjetër përgjysme. Nëse keni vetëm një tave, do t’ju duhet ta fusni në furrë katër herë, çdo herë me çerekun e brumit. Unë kisha vetëm një tavë me diametër 23 cm, ndaj mu desh ta bëja tortën me tre shtresa (pra më pak të lartë nga çdo e kisha dashur) dhe ta piqja tre herë.

Për ta pjekur, furrën ndizeni në 180 gradë, ndërsa jeni duke bërë brumin. Çdo tavë visheni me letër kuzhine, lyheni me gjalpë dhe pudroseni me pak miell. Çdo kek piqeni për rreth 25 minuta, derisa të jetë në ngjyrë të artë dhe pasi të bëni provën me krruajtëse dhëmbësh.

Ndërkohë që keku piqet, mund të bëni pralinet. Përhapni mirë sheqerin në një tigan që nuk ngjit dhe vendoseni në nxehtësi mesatare. Ndërsa sheqeri do të nisë të shkrijë, lëvizeni ndadalë majtas – djathtas tiganin, që të shkrijë i gjithë sheqeri por mos e përzieni me lugë pa shkrirë i gjithë, në mënyrë që karameli të marrë ngjyrë të artë. Kur të jetë shkrirë nisni përzierjen me lugë, ndërkohë shtoni copat e arrave dhe përziejini derisa ato të vishen me caramel. Me shumë kujdes, hidheni karamelin mbi një letër kuzhine dhe shpejt e shpejt shpërndani mbi të arrat dhe lëreni derisa të ftohet plotësisht.

Për të bërë kremin, priteni gjalpin në kuba dhe rriheni në mikser rreth 2 minuta. Shtroni sheqerin pluhur lugë pas luge ndërsa rrahja vazhdon, në fund shtoni  kafen dhe rriheni 4-5 minuta me shpejtësi të lartë.

Për të kompozuar tortën, prini pjesën e fryrë të çdo keku në mënyrë të tërthortë, që keku të ketë formë të përsosur cilindrike. Ndajini fetat nga njëra tjetra me nga një shtresë të bollshme kremi dhe lini pak krem për pjesën e sipërme dhe anët. Dekorojeni sipas dëshirës me arrat e karamelizuara, kokrrat e kafes apo çokollatën. Sigurisht dhe qirinjtë e ditëlindjes dhe ndonjë dekor që ju pëlqen.