Në çdo shtëpi qëllon që të mbeten gjëra, të cilat mund të humbin freskinë dhe shpesh i tresim në plehra.
Kisha blerë proshutë viçi në Prizren, ndërsa më kishin mbetur pak gjizë Shën Gjergji, një copëz mozzarella për pizza, copëza të ndryshme djathrash, të cilat ne shqipot i përmbledhim me fjalën kaçkavall, megjithëse nuk janë aspak të tillë.
Atëherë ç’të bëjmë t’i hedhim?
Kurrën e kurrës! Ka disa mënyra si është kjo tortë e kripur ose një tjetër tortë me patate me këto “mbetje”, të cilën do ta realizoj një ditë tjetër.
Meqë mblodha ç’më mbeti në frigorifer nuk po bëj listën e përbërësve, por shkoj drejt e tek…
Përgatitja
Në një tepsi të rrumbullakët shtrova mbi një letër kuzhine një petë sfoliatë. E çpova me pirun dhe e mbusha me gjithçka më kishte mbetur, të cilat i preva në copëza të vogla. Shtova pak gjalp lope katundi dhe e mbulova me një tjetër petë sfoliatë. I puqa anët e të dy petëve, ndërsa pjesën e sipërme e lyeva me të kuqen e vezës duke përdorur një furçe kuzhine.
E poqa në furrë të ventiluar në 200 gradë Celcius për 25 minuta.
Prita sa të ftohet pak dhe e vendosa në një pjatë tortash. Zbulova që ishte një darkë apo zemër pasditeje shumë e mirë, veçanërisht po të shoqërohej me ndonjë gotë llallë.