Tavë kosi që mos të thotë kush “nëntë ujë, një kos”

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Tava e kosit është gatim i ditës së djelë ose i festave. Kurban Bajramin përherë e mbaj mend me mish qingji, tavë kosi dhe pilaf; të dyja me lëngun e qingjit. Por, ne në shtëpi e bëjmë edhe me pulë, madje edhe me copa mish viçi.

Tava e kosit që bëhet nga shtëpia jonë nuk ka fare oriz, sepse mpiksja bëhet më mirë me miell. Kjo nuk do të thotë aspak që tavat që e kanë një grusht oriz nuk janë po kaq të mira, përkundrazi.

Tava e kosit ose siç njihet ndryshe Tava e Elbasanit është ndoshta e vetmja pjatë ballkanike e identifikueshme në kuzhinën otomane. Ky ma merr mendja është një nder i madh që i bëhet historisë sonë të kulinarisë, ndaj ky gatim duhet marrë me krenarinë këlthitëse: “O sa mirë me ken’ shqiptar!”.

Kur u kam thënë për herë të parë disa italianëve që ne e gatuajmë mishin në këtë mënyrë, fillimisht qeshën, më pas nuk e fshehën kërshërinë, derisa ua vura përpara dhe u ndjeva krenar, sepse më në fund Italisë, “nonës së gatimit” i tregova një gjë që nuk ia kishte idenë.

Përbërësit:

Pulë (1 copë, por të prerë sipas nishaneve, pra me copa të vogla)

Kos lope ose dele (750 gramë)

Gjalpë (150 gramë, se duhet pak e yndyrshme. Dietën bëje me sallatë të hënën)

Vaj ulliri (100 gramë)

Vezë (katër kokrra)

Miell (tre lugë gjelle)

Piper i zi

Kripë

Përgatitja:

Fillimisht e ziem pulën. Pasi lëngun e lëmë të vaket e hedhim gjysmën e tij në një enë të madhe qelqi. Shtojmë në të kripën, piperin, vajin e ullirit dhe miellin. E rrahim me durim, derisa mielli të shkrihet dhe mos të mbetet me kokrriza. Masën e krijuar e shtrojmë në një tavë. Atje shtojmë kosin dhe vezët dhe i përziejmë sërish. Nëse na del shumë viskoze shtojmë sërish lëngun e pulës. Pastaj sipër tavës vendosim gjalp me copa, kudo në sipërfaqen e tavës.

E pjekim në furrë me 200 gradë, derisa pjesa e sipërme të skuqet përsëmbari.

Pulën, ne e pjekim më vete, në mënyrë që sipërfaqja e tavës të piqet bukur dhe mos ta pengojnë copat e pulës. Për pjekjen e pulës mund të shfryëzoni lëngun e mbetur ose me të bëni një grusht oriz a jufkat.

Dhe pije një gotë raki; mos bëj sikur ke ardh Parisi me verë të kuqe.