Të gjithë e njohin shprehjen “Qiqra në hell”, por pak e dinë që qiqërim nënkupton një mjegull të hollë, e cila ulet e shtrihet gjerë mbi tokë. Zakonisht në mëngjeset e lagështa lëndinat mbushen me këtë qiqërim të bardhë. Prandaj, ka gjasë që supës së qiqrave nuk ia ka ënda domaten.
Rikthimi i të ftohtit më rçoi në mendje këtë lloj bishtaje që bëhet aq e mirë dhe në aq shumë mënyra nga qoftet, supa, makaronat, madje edhe ëmbëlsirë.
Por, ndoshta pjata më popullore është supa me qiqra që është e thjeshtë për t’u përgatitur dhe të nderon në tryezë.
Përbërësit:
Qiqra (250 gramë)
Presh (1 fije e hollë)
Qepë e bardhë (1/2 kokërr)
Karotë (1 copë e madhësisë mesatare)
Selino (1 fije)
Lëng zarzavatesh (1 kilogram ose 1 dado koncetrat)
Rozmarinë (2 fije)
Dafinë (2 gjethe)
Vaj ulliri
Kripë
Përgatitja:
Qiqrat e i lëmë në ujë të ftohtë të paktën 12 orë ose më mirë futini në mbrëmje dhe në drekën e ardhshme gatojini. Pas janë ngopur mirë me ujin dhe janë fryrë i derdhim ujin me një kullesë.
Në një kusi hedhim vaj ulliri, të cilin teksa e ngrohim presim në copëza të vogla preshin, qepën, karotën, selinonë. I kavardisim të gjitha bashkë në kusi për pak minuta me zjarr mesatar. Pastaj shtojmë pak lëng zarzavatesh. I përziejmë disa minuta të tjera dhe hedhim qiqrat. Hedhim pjesën tjetër të lëngut të zarzavateve dhe e lëmë me të gjithë harxhinë për 10 minuta me zjarr të ulët. Pastaj dafinën dhe rozmarinën që i kemi lidhur me spango kuzhine i hedhim në kusi që të lëshojnë vetëm aromën. Vendosim kapakun dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për 1 orë. Nëse qiqrat nuk ziejnë shtoni pak fare ujë dhe i lini dhe një gjysëm ore më shumë, por nuk besoj se ka nevojë për kaq. Hiqeni dafinën dhe rozmarinën. Shtoni kripën.
Më pas merrni me sy diçka tek gjysma e qiqrave dhe hidhini në një mikser. Kremin që përfitoni bashkojeni me kokrrat që keni lënë në kusi. Lërini në zjarr dhe pesë minuta.
Supën hidheni në një pjatë. Shtojini pak vaj ulliri dhe nëse dëshironi piper të zi ose djath të grirë.