Është një nga ëmbëlsirat më të dashura nga të gjithë: sufleja e çokollatës. Sikur të mos mjaftonte shija dhe aroma e çokollatës së ngrohtë, që derdhet sapo fut lugën e parë, është edhe ajo akullorja që e shoqëron e që e bën ëmbëlsirën që gjendet thuajse në çdo restorant në Tiranë, të të duket gati gati sikur të jetë tradicionale shqiptare.
E megjithatë shumëkush mendon se është e vështirë për ta gatuar në shtëpi, ndaj edhe porositet aq shumë restorante. Nuk është fare, nëse ndiqni pikë për pikë udhëzimet, pa anashkaluar cilësinë e produkteve. Unë zgjodha ta bëj sipas librit të Renato Mekollit “Sekretet e Shijes”, botuar nga Shtëpia Botuese “Dudaj (besoj se do të jetë sërish në shitje në Panairin e Librit) dhe rezultati ishte spektakolar: plot aromë, me llavën e nxehtë të çokollatës dhe gjithë shije.
Përbërësit:
250 gr çokollatë e zezë; 150 gr gjalpë; 5 vezë; 180 gr miell; 150 gr sheqer pluhur; 1 bishtajë vanilje; pak kripë.
Përgatitja:
Rrahim të verdhat e vezëve dhe u shtojmë sheqerin duke i përzier. Vendosim çokollatën të shkrihet në banjë avulli (banjë mari). Ndërkohë rrahim të bardhat e vezëve. Te çokollata e shkrirë shtojmë gjalpin, të verdhat e të bardhat e vezëve, vaniljen dhe në fund miellin, të cilin e shtojmë duke e situr që të mos krijohen toptha në brumë. E vendosim brumin në forma për një person, duke i lyer ato me gjalpë dhe me miell që të mos ngjitin. I pjekim për 180 gradë për 10 minuta.