Strozzapreti është një lloj makarone, e cila njihet më së shumti në Itali në krahinat e Emilia Romanjas, Toskanës, Markeve dhe Umbrias.
Kam gjithë ditën që dua t’i gjej një fjalë në shqip, por është e vështirë, pasi në kulturën tonë tradicionale të gatimit njohim jufkat dhe ndonjë lloj tjetër makaronash, por jo më shumë. Nejse, po e lë strozzapreti, se kërkimi gjuhësor në këtë rast nuk është i dorës së parë.
Meqë janë ditët e fundit të Ramazanit, po propozoj për Iftar një pjatë të lehtë me strozzapreti, merluc dhe domate të freskët. Është shumë e shijshme, por në të njëjtën kohë mjaft e lehtë për besimtarët që i janë përkushtuar sakrificës.
Përbërësit:
Strozzapreti (250 gramë)
Merluc fileto (200 gramë)
Domate gjelle (2 kokrra të mëdha)
Qepë e njomë (2 fije të holla)
Hudhër e njomë (1 fije e hollë)
Spec djegës (1 copë)
Majdanoz (1 tufë e vogël)
Vaj ulliri
Kripë
Përgatitja:
Ujin e makaronave e kemi vluar. I kemi hedhur kripë. Domatet e gjellës i lëmë vetëm pesë minuta në ujin e vluar të makaronave. Heqim domatet. I lëmë të ftohen në një enë. Shtijmë në të njëjtin ujë makaronat strozzapreti.
Në një tigan ngrohim vajin e ullirit. Pas pak hedhim qepën dhe hudhrën të prera hollë. Shtojmë specin djegës dhe kripën. Sa merr qepa një faqe shtojmë fileton e merlucit, të cilën e kemi prerë në kubikë shumë të vegjël. I kavardisim bashkë për pesë minuta në zjarr mesatar.
Domatet e ftohura i qërojmë nga lëkura, e cila del vetë. Largojmë ndonjë papastërti në pjesën fundore, ku domatja lidhet me bishtin. I kalojmë në mikser dhe lëngun e përftuar e shtijmë në tigan.
Dy minuta para se makaronat të plotësojnë orarin e zierjes i kullojmë dhe i hedhim drejt e në tigan. I përziejmë në zjarr të plotë me harxhin dhe për dy minuta pa u ndalur. Shtojmë majdanozin e prerë hodhë dhe e përziejmë me zjarr të shuar.
Shërbejeni dhe jeni të sigurtë që do ju pëlqejë.