Spanjollët i thonë tortilla por shoqja ime Ornela e bën edhe më të mirë se ata

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Në Spanjë nuk mungon edhe në bufenë e mëngjesit nëpër hotele: quhet tortilla, është torta e famshme e patateve që mund të bëhet edhe në tigan edhe në furrë. Shoqja ime e ngushtë Ornela na e bën gjithmonë sa herë bujtim në shtëpinë e saj, është mjaft e këndshme si aperitiv dhe hahet dimër e verë. Por mund ta bëni edhe si spanjollët: ta vendosni brenda dy fetave të holla buke dhe ta merrni me vete në plazh. Patatet mund t’i prisni në kubikë apo ne feta të holla, mund të shtoni brenda majdanoz apo dhe kubikë pançete krokante apo kungulleshka të prera në kubikë të vegjël. Nëse sipër i hidhni pak galetë të thërrmuar, do ta keni pak më kërce pjesën e sipërme. Me pak fjalë, ka shumë e shumë mënyra për ta gatuar, sekush e përshtat sipas shijes së vet. Më poshtë po shkruaj recetën klasike, me patate e qepë, gatuar në tigan. Ornela e bën në furrë, por ndoshta do preferonit ta shmangnit në këtë vapë. Në tigan bëhet për dhjetë minuta, vetëm se duket zgjedhur një tigan i thellë dhe që nuk ngjit.

Përbërësit: 6 vezë; 5 patate; 2 qepë; vaj ulliri.

Përgatitja:

Pastroni dhe qëroni patatet dhe pritini në copa të vogla, kubike ose rrethore të holla.

Pritini qepët në copa të vogla. Vendosni një tigan të thellë në zjarr mesatar. Hidhni aty patatet dhe trazojini për ca sekonda pastaj shtoni qepët dhe vajin e ullirit.

Gatuajini për pak minuta në tigan me kapak, derisa përbërësit të kenë marrë ngjyrë të artë. Ndërkohë në një tas rrihni mirë vezët dhe shtoni aty patatet me qepën e skuqur.

Vini sërish në zjarr tiganin me pak vaj ulliri dhe nxeheni për pak sekonda. Hidhni aty vezët me patatet dhe lërini të skuqen në tiganin e mbuluar me kapak.

Me ndihmën e një pjate kthejeni nga ana tjetër dhe skuqeni për pak minuta të tjera edhe nga kjo anë. Mund ta hani të ngrohtë por edhe të ftohtë pas disa orësh.