Kur bëra për të parën herë një tortë Rod Velvet mu duk gjëja më e vështirë në botë, bashkë me tortën spërkata në të kuqe edhe dollapët e kuzhinës, madje edhe pellushin e qenit. Si me çdo gjë, hera e dytë pastaj qe më e thjeshtë, derisa sa vjen momenti dhe bëhet symbyllur dhe mund të mos mjaftohesh vetëm me kekun, por të të hyjë e kuqja kaq shumë në qejf, sa të vijosh me të tjera ëmbëlsira të kuqe. Pas ëmbëlsirës gjysmë brownie dhe red velvet e gjysmë cheese cake, duket se gjithmonë e më shumë ëmbëlsirat e mia do të kenë nga pak red velvet – të kuqe të kadifenjtë. Si këto biskotat me gjalpë dhe copëza çokollate, që janë një festë e vërtetë për qiellzën, hundën, por dhe për sytë. Sepse këto kohë kemi gjithmonë e më shumë nevojë për të kuqe, apo jo?!
Përbërësit
200 gr miell; 20 gr kakao e hidhur; 1 lugë çaji pluhur pjekës; një çerek lugë çaji kripë; 115 gr gjalpë pa kripë në temperaturë ambienti; 150 gr sheqer kaf; 50 gr sheqer të bardhë; një vezë e madhe në temperaturë ambienti; 1 lugë gjellë Buttermilk (ose qumësht të thjeshtë); vanilje; bojë të kuqe; 180 çokollatë në copa, të hidhur ose të ëmbël sipas dëshirës.
Përgatitja
Sitni miellin dhe shtoni aty kripën, pluhurin pjekës, kakaon dhe vaniljen.
Në mikser rrihni gjalpin bashkë me dy llojet e sheqerit derisa të bëhen krem, shtoni vezën dhe qumështin, vazhdoni rrahjen. Shtoni përzierjen e miellit dhe bojën (sasia është në varësi të bojës suaj, që mund të jetë pluhur ose e lëngshme) dhe punojini me helikën e brumit në makineri ose me dorë. Shtoni copëzat e cokollatës dhe kur brumi të jetë i formuar, mbështilleni me një qese kuzhine dhe lëreni të pushojë së paktën një orë në frigorifer.
Nxehni furrën në 180 gradë celcius, vishni tavën me letër kuzhine, ndajeni brumin ne toptha sferikë (rreth 12 në çdo tavë) dhe piqini biskotat për 10 minuta.
Lërini të ftohen disa minuta përpara se t’i hiqni nga tava.