Sepse fiku i egër shkon shumë me gorgonzolën e rozmarinën

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Jemi ende në kohë për të bërë recetën origjinale me fiq. Por unë nuk kënaqem, që fokaçen time të preferuar, ta gatuaj vetëm në një stinë, ndaj e dua gjatë gjithë vitit. Po kështu e do dhe mikesha ime Majlinda, që e ka ditëlindjen në maj, dhe e kërkon madje t’ja shpiem dhe në restorant, lokal, a ku të qëllojë që të mbledhë mikeshat (kamarierët na falin, kur u themi, që është një gatim shumë special).

Receta origjinale kërkon pesë ose gjashtë fiq të pjekur dhe dy a tre lugë mjaltë. Më poshtë është varianti im me glikonë e fikut dhe lëngun e saj.

Përbërësit për brumin

350 g miell; 150 ml qumësht; 60 g gjalpë në temperaturë ambienti; 1 lugë e vogël kripë; 1 lugë e vogël sheqer; 12 g maja birre e freskët që tretet në 3 lugë ujë të vakët.

Për mbushjen

150 g djathë gorgonzola; 6-7 kokrra gliko fiku; një grusht arra të qëruara; pak rozmarinë të freskët, 3 lugë lëng glikoje.

Përgatitja:

Në një tas hedhim majanë në thërrime, ujin dhe sheqerin dhe i përziejmë sa të tretet majaja. Shtojmë më pas qumështin, miellin, gjalpin dhe kripën. I përziejmë, derisa të përftojmë një brum të butë që nuk ngjit.

Hapim brumin me petës e pak miell, e vëmë në një tavë të lyer më parë me pak vaj, shpërndajme djathin, fiqtë, pak rozmarinë, arrat dhe i spwrkasim me lëngun e glikosë.

E vëmë të piqet të furrë derisa brumi të marrë ngjyrë dhe lart dhe poshtë.