Sekreti/ Ja si të lëpini gishtat me byrek me peta të gatshme

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Hollimi i petëve të byrekut vetë, në shtëpi është një traditë, me të cilën padyshim krenohen gjithë amvisat.

Por, ky proces kërkon kohë, të cilën shumë prej amvisave ndonjëherë nuk e kanë.

Për të shkurtuar kohën dhe për të përfunduar gatimin sa më shpejtë, kur është rasti për të përgatitur byrek shumë prej amvisave përdorin petë të gatshme.

Por, jo përherë rastis që me petë të gatshme të përgatisësh një byrek të shijshëm. Ndodh që byreku me petë të gatshme shpesh herë të dalë i thatë dhe herë të tjera i qullët.

Qumësht me vaj ulliri

Ka një sekret në përgatitjen e byrekut me peta të gatshme. Është lyerja e çdo pete me qumësht dhe vaj ulliri.

Mjafton të hidhni qumësht në një tas dhe dy lugë me vaj ulliri.

Më pas, secilën petë që shtroni në tepsi lyejeni me qumështin dhe vajin e ullirit përmes furçës së kuzhinës.

Shtroni katër apo pesë petë si fillim dhe lyejeni secilën me masën e qumështit me vaj ulliri.

Më pas, hidhni gjysmën e mbushjes, me të cilën do përgatisni byrekun dhe vijoni me shtrimin e 3 apo 4 petëve të tjera duke i lyer sërish të gjitha me qumësht dhe vaj ulliri.

Shtoni pjesën tjetër të mbushjes dhe vijoni kështu deri në petën e fundit.

Nëse preferoni mbushjen e byrekut mund ta ndani në tre pjesë.

Në fund, lyeni anët e byrekut me pak qumësht dhe vaj ulliri ashtu si edhe sipërfaqen dhe kthejini anët duke i mbyllur me njëra-tjetrën.

Gradacioni i pjekjes

Kur byreku përgatitet me petë të gatshme është e rëndësishme të dini se gradacioni është pjesë e rëndësishme e procesit.

Furrën nuk duhet ta nxehni në maksimum, por rreth 180 gradë si fillim.

Vendosni byrekun e përgatitur në furrë ku zgara të jetë e vendosur në mesin e furrës dhe lëreni rreth 10-minuta aty.

Më pas, tepsinë e byrekut ta ulni poshtë dhe lëreni derisa pjesa e poshtëme e tij të piqet duke e kontrolluar herë pas here.

Kur të jetë pjekur në pjesën e poshtme vendoseni sërish në zgarën e vendosur në mes të furrës dhe lëreni të piqet derisa sipërfaqja të marrë ngjyrën e kuqërremtë.

Në fund, para se të fikni furrën lyeni sipërfaqen e byrekun sërish me pak qumësht dhe me pak gjalpë të freskët në vend të vajit të ullirit dhe më pas fikni sobën dhe lërni byrekut të kullojë dhe të ftohet pak dhe më pas servireni.

agroweb.org