Salmon në furrë, e lehtë, prandaj të tepron kohë edhe për qeverinë

4 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Meqë në këto kushte nuk është përherë e lehtë të gjesh produkte të freskëta si peshku fjala vjen, mund të marrësh pa frikë disa fileto salmoni norvegjez dhe të realizosh një recetë holandeze.

Duket sikur po bën përpjekje për t’u integruar në Bashkimin Europian, por në fakt po propozon një tavë shumë të lehtë për t’u përgatitur. Ky gatim ka një të mirë të madhe, pasi të lë kohë për të bërë plot gjëra të tjera në këto kohë “arresti shtëpie”.

Për shembull, e ke mundësinë të ngulesh para televizorit dhe të shijosh stand up comedy-në që ta mundëson qeveria disa herë në ditë.

Përbërësit:

Salmon (4-5 copë fileto)

Hudhër e njomë (1 fije)

Lëng domate (200 gramë)

Spec djegës (1 copë)

Kaper (3 kokrra)

Kripë

Vaj ulliri

Përgatitja:

Filetot e salmonit, të cilat i marrim të prera gati, vetëm sa i shplajmë me ujë dhe i thajmë me letër kuzhine.

Në një tigan ngrohim vajin e ullirit me hudhrën e prerë hollë, specin djegës dhe kokrrat e kaperit të ndara në gjysëm. Shtijmë lëngun e domates dhe e shtojmë me një filxhan ujë, sepse na duhet pak e lëngshme. E kriposim. Ulim forcën e zjarrit, teksa presim pak minuta sa salca të bëhet më homogjene.

Në një tavë qelqi hedhim pak nga salca, të cilën e shpërndajmë në të tërë sipërfaqen e enës. Vendosim filetot e salmonit. Salcën që na ka mbetur ia hedhim përsipër.

Tavën e fusim në një furrë të ventiluar me nxehtësi 180 gradë Celcius. E lëmë 25 deri në 30 minuta, varet nga furra.

E shërbejmë me sallatë marule, por mos harroni pak bukë të thekur, se ia ka ënda ta ngjyesh kafshatën në në fund.