Tani që të gjithë jemi të izoluar përdorimi i hudhrës është një e mirë, e cila nuk mund të vihej në jetë me kaq liri, nëse do të shkonim në punë.
Prandaj, hudhra fiton qytetarinë e duhur në të gjithë pjestarët e familjes, por në të njëjtën kohë merr vlerë si një antigrip që në këto mote kaq të vështira na duhet si buka që hamë.
Tani, ndokush mund të pyes çfarë lidhje ka hudhra, kur në titull kemi pazinë?
Ja këtë do ta kuptoni gjatë zhvillimit të kësaj recete që është fare e lehtë, kushton shumë lirë dhe shijon si gjumi i drekës që e kishim harruar prej vitesh.
Përbërësit:
Pazi (dy tufa)
Patate (një kokërr e madhe)
Limon (gjysëm kokrre)
Hudhër (një thelpi i madh ose dy të vegjël)
Vaj ulliri
Kripë
Përgatitja:
Pataten e qëruar dhe të ndarë në katërsh e ziejmë në një kusi me ujë të vluar. Në të njëjtin ujë hedhim pazinë e pastruar më parë. Pazinë e lëmë në ujin e vluar vetëm një minutë. E kullojmë mirë e mirë.
Pastaj, pataten e presim në copa më të vogla, pazinë po ashtu. Por, copat duhet të jenë të kapshme nga piruni, në mënyrë që mos të përdorim lugën. Shtojmë vajin e ullirit, lëngun e limonit, kripën. Hudhrën e grijmë me rende. E përziejmë dhe kemi një sallatë, e cila mund të hahet edhe më vonë, nëse e vendos në frigorifer, sepse e freskët bëhet më e mirë.