Recetat dhe gatimet e dietës sime “të famshme” (përfshirë dhe ajo dreq pane)

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nëse nuk do ishte për emisionin e Rudina Magjistarit, në ditën e parë të dietës sime #NoCarbsNoSugar, me siguri që do e kisha ngrënë ndonjë lugë sheqer dhe ndonjë ëmbëlsirë me çokollatë, duke u justifikuar se nuk do të prishte shumë punë, ose do i mbushja mendjen vetes që mirë jam dhe nuk ka ç‘më duhen dietat. Por meqë kur i bëj gjërat publike, duhet t’ju shkoj deri në fund, kam  vazhduar pa e prishur aspak. Ndryshe nga ç‘e pandehja, ka qenë shumë shumë e thjeshtë të rrija pa bukë, makarona dhe oriz, por mungesa e sheqerit për njerëz si unë, qenka e shumë e vështirë të përballohet. Sot në ditën e tetë (dhe tre netë më ndajnë nga e enjtja e madhe, kur mund t’ja shtroj), kam dy lajme:

  • Fakti që lënia e sheqerit qenka po aq e vështirë sa e duhanit, do të thotë që vërtetë herë pas herës organizmi paska nevojë të pastrohet prej tij, sepse siç kisha lexuar është vërtetë drogë e bardhë (shpresoj sot e tutje ta ha në mënyrë të moderuar, sapo të ndaj se çfarë do të thotë e moderuar).
  • Gjatë këtij regjimi nuk të merr uria fare. Sepse dieta është kaq e pasur me yndyrna, sa shumicën e ditës ke një si gjendje ngopjeje, pra shumë kollaj pas ditës së dytë mund të nisësh intermittent fasting, regjimin e agjërimit 16 orë (link në fund të këtij shkrimi).

Meqënëse kërkësa e përhershme “recetën të lutem” këto ditë ka qenë e dhjetëfishuar, më poshtë po botoj disa nga gatimet e këtyre ditëve. Që të mos mërzitesha dhe të përballoja tundimin për gjëra të mira (domethënë me sheqer), shumë nga drekat këto kohë i kam ngrënë nëpër restorante, ndaj sigurisht shumë receta mungojnë. Por tek www.rozmarina.al , në rubrikën “Gatimet e Kelit”, ka kaq shumë gatime mishi, madje pa patate si kjo dieta, sa ju dalin dhe ju teprojnë për një muaj rresht (pooo dieta ka mish, peshk, vezë, yndyrna, bulmet, perime të gjelbra dhe ndalohet në vija të përgjithshme buka, makaronat, orizi, ëmbëlsira dhe të gjitha frutat veç boronicave, manaferrave, gjysëm kiwi dhe ndonjë kokrre luleshtrydhe, që unë e zgjedh sa më të madhe).

 

Sallata me ose pa pulë

Eshtë tasi im i preferuar gjatë gjithë vitit, jo vetëm tani, që e kam ngrënë çdo ditë. Për të nevojiten disa lloje lakrash dhe sallate jeshile (unë e blej qesen me sallatë të larë dhe të grirë të gatshme, është shumë e freskët dhe duhet ngrënë brenda dy ditësh). Marinohen në një tas me limon dhe kripë, pastaj shtohen ca kokrra ulliri (jo më shumë se 20 në ditë me këtë dietë), kastravec, avokado, djath (çfarëdolloji të keni në frigorifer) dhe arra e fara të ndryshme.

Ndërkohë fileton e pulës me pak gjalpë e vëmë në një tigan që e mbulojmë sipër me letër alumini dhe e skuqim në temperaturë mesatare. Kur të marrë ngjyrë të artë nga të dyja anët e presim në copa të vogla, hedhim kripë e piper, e skuqim dhe pak dhe e vendosim mbi sallatë.

Hedhim sipër vaj ulliri.

 

Lulelakra me vezë

“Më mirë të kishe pirë një tylohot sesa hëngre këtë”, më shkroi mikesha ime, kur pa fotografinë në story. Sepse për lulelakrën, ashtu si dhe për bamjet, njerëzit nuk janë kurrë indiferentë: ose i dashurojnë ose i urrejnë.

Unë vetë kisha vite pa e ngrënë këtë gatim, por tashmë me rastin e dietës truri nisi të bëhej më kërkues dhe meqë e kujtova, them se do jetë një nga ushqimet e zakonshme të këtij dimri (javës tjetër mund ta shoqëroj me bukë të thekur). Ruani pak lulelakër të zierë për recetën që do të vijë pas kësaj.

Për ta përgatitur zjejmë fillimisht lulelakrën e pastruar në ujë me kripë (mbi kapakun e tenxheres mund të hedhim pak uthull që të shmangim erën), pasi të ftohet e presim në copa dhe e kalojmë në vezën e rrahur më parë. E skuqim me gjalpë dhe kur të marrë ngjyrë të artë i hedhim piper të zi. Unë e shoqërova me djathë të bardhë.

 

Kërpudhat e mbushura, krenaria ime

Këto kërpudha janë ato që nuk ndrroj anjëherë kur shkoj tek Estia (restoranti im i preferuar) dhe me këtë recetë, i afrohen më shumë në shije atyre që bën atje Tani (absolutisht më i miri kuzhinier!). Për to dhe kisha pyetjet më të shumta dhe për to nevojitej ajo dreq pane, që më çmendi inboxin me një tufë kurreshtarësh, që më thoshin që pana nuk duhet të dietë (ju lutem mos i jepni mend një njeriu në dietë! Nxehet shumë, po shumë kollaj). Pana është krem qumështi, ka shumë pak karbohidrate dhe sheqer, brenda limitit të këtij regjimi, për më tepër që në këtë rast kam përdorur vetëm një lugë gjelle (pjesën tjetër do e mbaroj në fundjave me diçka aspak dietike).

Për të bërë këto kërpudha, për mbushjen na nevojitet ajo lulekara, që na mbeti nga mbrëmja e shkuar. E përziejmë bashkë me pak brokoli të zierë, i shtypim me lugë derisa të bëhet një si pure. Kësaj i shtojmë bishtat e gjysmave të kërpudhave – që i pastrojmë nga lëkura dhe bishtat – dhe pak krem tartufi e djathë parmiggiano të grirë. Mbushim me këtë përzierje kërpudhat që i kemi vënë në një tavë me pak vaj ulliri dhe i pjekim për rreth 15 minuta. Kur të jenë nga fundi i pjekjes, në një tigan të vogël hedhim panën dhe shkrijmë aty djath gorgonzola (meqë nuk e përdorja dot të gjithën por vetëm një lugë, e shtova me pak qumësht) dhe i lëmë në zjarr të ngadaltë sa të na bëhet krem.

Servirim kërpudhat në pjatë, u vëmë sipër feta të holla djathi parmiggiano dhe u hedhim salcën e bardhë.

 

Mishi i kuq (por dhe pula) me kërpudha e pana

Dhe këtu kishte pana, por vigjilenca e ndjekësve ishte më e ulët sepse nuk kisha treguar ambalazhin J.

Meqë kisha bërxollë viçi nga frogoriferi, pas konsultave me Kelin kuptova që nuk mund ta skuqja direkt. Ndaj pasi e shkriva disi, e zjeva në tenxhere me presion për rreth gjysmë ore dhe pastaj nisa skuqjen në nxehtësi mesatare. Diku nga gjysma e shkuqjes shtova një gjysmë qepe të grirë shumë hollë dhe pasi nisi të merrte ngjyrë shtova kërpudhat e freskëta të pastruara dhe të prera. Kur nisën të skuqen, i shova me pak verë të bardhë, shtova në fund kripë, piper të zi e pastaj panën dhe pas një minute e hoqa nga zjarri.

Pjatën e shoqërova me sallatën time të preferuar. Ngjyra e panës nuk duket e bukur, pasi ishte me aromë kërpudhash porcini, pak më bezhë se e zakonshmja.

I njëjti gatim mund të bëhet edhe me pulë shumë më kollaj, sepse fileto skuqet direkt në tigan.

 

Tarator mo!

Darka më e lehtë dhe më e këndshme. Por dhe për këtë ma kërkuan recetën, ndaj po shkruaj se si bëhet: grihet hollë kastraveci, grihet pak hudhër shumë hollë (mund ta shmangni për arsye që dihen), mbulohet me kos, shtohet kripë dhe vaj ulliri. Unë e preferoj dhe me pak kopërr, por në dyqanet e lagjes nuk e gjej kurrë.

 

Perime jo thjesht të ziera

Perimet nuk janë të preferuarat e mia, për fat të keq, por këto ditë mëqënëse nuk kam pasur makarona, nuk i kam shmangur si zakonisht. Dhe të them të drejtën më kanë pëlqyer, mendoj që do vazhdoj t’i gatuaj më shpesh dhe të mos i ndaj më. Sekreti për njerëz si unë, që kanë pasion shijen më tepër sesa idenë që po hanë shëndetshëm, është që pasi të zjehen, të kalohen në një tigan me pak gjalpë për rreth dy minuta. Pak piper dhe janë të hatashme.

http://www.tiranapost.al/jemi-qe-jemi-ne-diete-provojme-dhe-nje-gje-tjeter/?fbclid=IwAR3B2pTswwApmtj42r8ke-nmIFSw9A4x3MPoY8e6L5lmz39CUSGJUZc-2iY