Quiche me salmon, më të vështirë ka emrin sesa gatimin

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E di që nuk i keni me shumë qejf këto recetat franceze se ndoshta ju duken pak si të koklavitura dhe mund të mendoni ndoshta se janë për gocat spitullaqe. Ndaj po ua them menjëherë: nuk janë hiç të koklavitura, janë shumë shumë më të thjeshta se emri. Në këtë rast lexohet thjesht kish, dhe zëreni se është ndonjë lloj byreku i hapur, ku petën e blini të gatshme, dhe mundimi për ta bërë është vetëm pesë minuta, sa rrahja e vezëve (veç kohës së pjekjes sigurisht). Eshtë një recetë tepër e shijshme për aperitiv, për ta servirur si pjatë të parë ose për brunch (ndoshta këto ju sjellin ndërmend spitullaqet ëëë??) Epo mirë, shoqëruar me një sallatë, mund të jetë një drekë shumë e mirë, që mund të merret me vete edhe në punë.

Përbërësit

1 petë brisé (unë përdor sfoljatë, ndryshe nga receta origjinale sepse kështu më ngjan më shumë me byrekun tonë. Petën mund ta bëni vetë por e gjeni në frigoriferët në supermarket dhe është e mirë shumë, katrore ose rrumbullake si ta dëshironi formën); 150 gramë djathë emental; 4 vezë; 3 feta salmon i tymosur (paketimi me njëqind gram është i mjaftueshëm), 250 ml panna e freskët kuzhine; kripë; piper.

Përgatitja

Vendoseni petën brisé në tavë, duke lënë anët më të larta, rreth katër centimetër, mbulojeni brumin me letër kuzhine, mbusheni me fasule ose gurë të vegjël dekorativë dhe piqeni për rreth 15 minuta në furrën e ngrohur më parë në 160 gradë. Kur të nisë të marrë pak ngjyrë hiqeni letrën me peshën e vendosur (na shërben që të mos na fryhet brumi).

Në një enë rrihni vezët dhe panën, shtoni kripën dhe pak piper të sapobluar.

Shtroni mbi petë fetat e salmonit dhe mbi to djathin e grirë. Shtoni sipër vezët e rrahura

Futeni në sobë në 180 gradë dhe piqeni për rreth 45 minuta, derisa mbushja të jetë fryrë dhe të ketë marrë ngjyrë të artë.

Lereni të ftohet quiche-n me salmon përpara se ta nxirrni nga forma.