Quiche është gatimi më i thjeshtë në botë, sidomos nëse e bën me petë të gatshme sfoliatë (ose edhe brisé, sipas preferencës). Pasi ta keni bërë për herë të parë, mund ta bëni gjithmonë, kungulleshkat mund t’i zëvendesoni me [farë perimesh të doni, mund të shtoni brenda proshutë, djathra të tjerë, apo siç thotë një mikesha ime “gjithë gjërat që janë në frigorifer, ato që kanë tepruar nga gatime të tjera dhe nuk do që t’i hedhësh”.
Variant me kungulleshka e qepë të njoma është i preferuari im. Sepse janë të skuqura në gjalpë. Një recetë franceze si quiche, nuk ka se si të bëhet me gjë tjetër, përveçse me gjalpë.
Përbërësit për 6 persona:
2 kungulleshka mesatare të prera në feta të holla, 3 qepë të njoma të plota të prera imët, 2 lugë gjelle gjalpë, 1 petë sfoliatë, 1 e ½ gotë mocarelë e grirë, 1 gotë gjizë pa kripë, 150ml pana, 3 vezë, 1 thelpi hudhër, kripë, piper, spec i kuq, jo djegës, pluhur.
Përgatitja:
Në një tigan jo ngjitës të nxehur mirë, hedhim pak gjalpë dhe kalojmë kungulleshkat e prera hollë. I heqim dhe i lëmë mënjanë. Të njëjtën gjë e bëjmë edhe me qepët e njoma. Kur të kenë marrë ngjyrë i hedhim mbi kungulleshkat.
Petën sfoliatë e presim në formë rrethore me diametër dy gisht më të madh se forma. E shtrojmë në formë, të cilën më parë e kemi lyer me pak gjalpë. Shtojmë mbi të gjysmën e kungulleshkave dhe të qepëve dhe i spërkasim sipër me djathë mocarela. Në një tas përziejmë bashkë gjizën, panën, vezët, hudhrën e grirë imët dhe erëzat. I rrahim mirë dhe i hedhim mbi kungujt. E përhapim mirë dhe pastaj mbi të rregullojmë kungujt dhe qepët e mbetura. E pjekim në furrë për 35 – 40 minuta derisa thika të dalë e pastër. E lëmë të ftohet për 10 minuta para se ta shërbejmë.