Qershitë janë arsye e mirë për ta tepruar (edhe me çokollatë)

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

“Sepse qershitë zgjasin pak”, ishte përgjigjja që i dhashë sakaq të dashurit që nisi të grindej, se përse një ditë përpara se të niseshim me pushime, më pa duke shkrirë çokollatë e duke bërë brownie.

Dhe nuk kam faj fare: Këtë vit qershitë dolën vonë (ato të vendit, jo me çmim për të marrë kredi konsumatore) dhe mesa duket do të mbarojnë shpet. Dhe meqe unë nuk do jem në shtëpi në mes të stinës së tyre, ia vlente të bëja shpejt e shpejt një ëmbëlsirë, me shpresën që do mund të bëj dhe nja tre të tjera që kam ndërmend, derisa futat e mi të dashur të zhduken.

Dhe meqe stina zgjat pak, le t’ia lejojmë vetes t’i shijojmë ëmbëlsirat me to. Se do kemi gjithë vitin kohë për të bërë dietë, qershi s’kemi ku gjejmë më. Ndaj po ju le recetën e këtij browni-et që përveçse i mire. është dhe shumë i bukur.

 

Përbërësit:

200 gr çokollatë fondente; 10 gr kakao të hidhur; 4 vezë mesatare; 180 gr sheqer, 50 gr çokollatë të bardhë; 300 gr qershi; pak kripë; 130 gr gjalpë.

Disa qershi dhe dy lugë sheqer për dekor sipër (opsionale)

Përgatitja

Shkrijmë cokollatën me gjalpë dhe e lëmë të ftohet. Në mikser rrahim vezët dhe sheqerin derisa të bëhen shkumë. Shtojmë miellin, kakaon, kripën dhe i rrahim. Shtojmë çokollatën e shkrirë, i përziejmë sërish dhe në fund shtojmë qershitë, që u kemi hequr bërthamat dhe çokollatën e bardhë në copa të vogla.

E pjekim për 25 minuta në tavën me madhësi 30×30 në furrën e ngrohur më parë në 180 gradë.

Per dekorin sipër, e djegim sheqerin dhe e bëjmë karamel, shtojmë qershitë pa bërthame dhe i lëmë në karamel në nxehtësi mesatare, derisa të mos mbetet thuajse fare lëng.

Po të doni ta teproni fare pastaj, një kupë akulloe shkon shumë (unë këtë ia kurseva vetes).