Kur vinte e djela në shtëpi gatuhej një gjysëm pule me patate, kurse mua më çonte babai të blija birrë të hapur me një kanë që mbante plot katër gota. Aroma e asaj pule mbushte gjithë shtëpinë, por mua më pëlqente vetëm mishi, sepse patatet e përziera me qepë e me domate nuk i shtyja.
Nejse, kohët ndryshuan dhe në tryezë nuk vihej më gjysëm pule, por ajo aromë nuk erdhi kurrë më. U mundova edhe më pas të shkoja tek ajo erë, e lusja nanën ta bënte njësoj si në ato kohë, por jo, nuk qëllonte. Ndoshta ishin pulat hungareze që u zhdukën nga qarkullimi, ndoshta uria e varfërisë, ndoshta…
Nejse, tani di ta bëj pulën në shumë mënyra. Padyshim, është mish i bardhë, i lehtë, pa yndyrë, shumë i ushqyeshëm, por jo gjithmonë i dashur, veçanërisht për fëmijët.
Kjo recetë e thjeshtë që propozoj sot, jam i bindur që i bën të vegjëlit për vete, kurse amvisave u heq kokëdhimbje.
Përbërësit:
Pulë (1 kilogramë e prerë në copa)
Pançetë (50 gramë, por e prerë mjaft hollë, mundësisht si letër cigareje)
Hudhër (2 thelpinj)
Vaj ulliri (50 gramë)
Rozmarinë (1 fije)
Piper i zi i bluar
Piper i zi kokërr
Piper i kuq kokërr
Përgatitja:
Në një tigan mbi zjarr mesatar hedhim fijet e pançetës, hudhrën dhe i lëmë bashkë. Në një enë hedhim kripë të trashë dhe piper të zi të bluar. Shtojmë vajin e ullirit. Copat e pulës i hedhim në këtë enë dhe i përziejmë me dorë me kripën, piperin dhe vajin. I lëmë pesë minuta sa të marinohen disi.
I vendosim copat e pulës mbi pançetën. Sipër hedhim piperin e zi dhe të kuq kokërr, por edhe fijen e rozmarinës.
E mbulojmë tiganin me një tepsi alumini dhe sipër saj vendosim një kusi të mbushur me ujë.
I lëmë të skuqen 30 minuta. Më pas i kthejmë nga krahu tjetër në të njëjtën mënyrë dhe i lëmë 30 minuta të tjera.
Shoqëroji me patate të skuqura, furre ose sallatë dhe e ke fituar davanë me fëmijët.