Nuk di përse pulën në mendësinë tonë e mbajmë për gjë të trashë. Ka gjasë, meqë ka harruar të fluturojë dhe ha gurë që të tresë ushqimin. Sa herë e themi për dikë “mendjepulë” apo “ia mori pula bukën nga goja”? Do mbetet mitike shprehja të Çufo e Gaqo Bushakës, teksa si i marrë majë biçikletës thërret: “Hapuuuni pula të shushatura!”.
Por, ne kemi dhe shprehje të tjera që ia kushtojmë burrit të pulës, gjelit: “Këndon si gjeli majë plehut”, ose “mos u fry si gjel” e kështu me radhë.
Mirë gjithë këto gjëra i paskemi për pulën, por për ta gatuar në sa mënyra e bëjmë? Kush rri e i numëron, se për llogari të këtilla ia thotë veç Iva Tiço, por ia ku po ju propozoj sot një tjetër recetë; Pulë me qepë.
Përbërësit:
Pulë (1 copë, të therrur dhe të terrur, të prerë në copa)
Qepë të bardha (4 kokrra)
Gjalpë (200 gramë)
Lëng zarzavatesh (300 gramë, nëse e do të freskët kliko këtu: https://rozmarina.al/si-ta-bejme-lengun-e-zarzavateve-brodon/)
Verë e bardhë (një filxhan çaji)
Rozmarinë
Dafinë
Piper i zi kokërr
Piper i kuq kokërr
Kripë
Përgatitja:
Në një tigan shkrijmë gjalpin dhe hedhim qepët e prera hollë. I kavardisim vetëm pak dhe vendosim copat e pulës, të prera sipas nishaneve. I skuqim ato nga të dyja anët me zjarr mesatar. Kthejini nëpërmjet një pince BBQ-je. E kriposim, i hedhim edhe kokrat e piperit të kuq e të zi. Një fije rozmarinë dhe dy-tre gjethe dafinë i lidhim me spango kuzhine dhe e vendosim sipër. Shtijmë verën e bardhë. Pasi të avullojë alkoli i verës shtojmë pak nga pak lëngun e zarzavateve. E mbulojmë me zjarr të ngadaltë për 15 minuta. I heqim kapakun dhe e lëmë, derisa të pijë lëngun. Po deshe fute në furrë ta pijë lëngun çerek ore a diçka më shumë me një nxehtësi 200 gradë. Unë e bëra. Bëje dhe ti mos përto.
E do kjo pjatë një gotë verë të bardhë dhe ngjyje fundin e tiganit me bukë që ta ndjesh ashtu si duhet.