Programi i gatimeve të së dielës, kur gratë bëjnë pushim

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Zoti e bëri një ditë pushim, pasi krijoi botën. Dhe ne gratë e meritojmë në të tillë, pasi për gjashtë ditë rresht në karantine kemi gatuarnga tri vakte, kemi larë enët përkatëse, lavapjatën, kuzhinën dhe gjithë shtëpinë që këto ditë paska një veti magjike: bëhet pis edhe rrëmujë, edhe nëse të gjithë rrimë vetëm  në divan. Nuk është shumë e thjeshtë të dallohet e diela nga ditët e tjera të javës, pasi duken të gjitha njëlloj por unë e kam gjetur një gjë që është ndryshe: nuk ka seri të “Sulejmanit” te Klani. Pra, ditën kur është Sulejmani pushim, le ta bëjmë dhe ne pushim.

Propozimi i vakteve të së dielës, që mund t’i gatuajnë edhe burrat apo fëmijët e rritur, ndërsa gratë më në fund shijojnë për një ditë divanin, është me gjëra të thjeshta (dhe jo dhe aq të shëndetshme, por mos u ankoni se një ditë në javë i hamë me qejf të skuqurat). Pancakes në mëngjes (petulla të fshira, palaçinka, a krepa quajini si të doni, nuk kemi nerva për debate), kotoletë pule në drekë dhe ca qofte patatesh me qepë për ta shoqëruar. Por mund t’i lini qoftet edhe për darkë, nëse nuk ju binden në shtëpi që të gatuajnë edhe darkën. Unë e kam zgjidhur këtë problem: them që Edi Rama na ka udhëzuar që të hamë vetëm dy vakte dhe ne duhet t’i bindemi. Ai tha të bëjmë dhe yoga, por po bëjmë sikur nuk e dëgjuam dhe le të vijojmë me pancake dhe kotoleta.

 

Pancake me miell integral me fara

I paragjykova ca kur i pashë kështu të errëta (sepse unë jam nga ato që nuk i njo fjalët ‘dietë’ dhe ‘përbërës integralë’). Por më duhet të tërhiqem; shija ishte fantastike, ndaj hëngra një me djathë dhe një tjetër me reçel, duke bërë plane se si të dielën tjetër djathit mund t’i shtoj dhe pançetën e thekërrisur.

Për brumin (rreth 6-7 pancakes):

300 g miell; 0,4 l qumësht; 6 vezë; 2 lugë gjelle vaj lulledielli; 1 lugë gjellë ujë me gaz (opsional); pak kripë; pak gjalpë për pjekjen.

Përgatitja:

Hidhenin dhe kripën në një tas dhe trazojini. Shtoni qumështin dhe përziejini me rrahësen e kekut derisa të bëhet një brumë i ujshëm. Shtoni vezët, vajin, ujin, trazojini mirë dhe lëreni brumin të pushojë për 30 minuta.

Vendosni në zjarr të mesëm një tigan që nuk ngjit. Pasi të jetë nxehur mirë hidhni pak gjalpe dhe me një garuzhde brumin dhe përhapeni në gjithë sipërfaqen e tiganit. Pasi të jetë mpiksur mirë kthejeni nga ana tjetër.

Mbushini sipas dëshirës me gjërat që ju pëlqejnë më shumë.

 

Kotoletat me pulë

Sekretin e këtyre kotoletave ma ka mësuar kushërira ime Kristina: duhen lënë sa më gjatë në qumësht me vezë. Ndaj që në mëngjes, në një tas rrah mirë një vezë me shumë qumësht dhe pak kripë, shtoj filetot e pulës dhe i lë deri dhjetë minuta përparta se të shtoj drekën. Kështu behën shumë të buta dhe me shumë shije.

Në një pjatë hedh galetë të shtypur, shtoj rozmarinë, piper të zi dhe kripë. I kaloj kotoletat e saponxjerra nga lëngu në pak miell, pastaj tek galeta. I skuq në zjarr mesatar nga të dyja anët sa të marrin ngjyrë të artë.

Shoqëruar me një sallatë është një drekë shumë e mirë dhe që mund ta gatuajë edhe ai që nuk është futur kurrë në kuzhinë.

 

Përbërësit

Për katër persona

12 kokrra patate mesatare, tre qepë; kripë, piper, dy vezë; afërsisht 8 lugë gjelle miell.

Përgatitja

Grini me rende patatet. Copëtoni me thikë qepët. Përzieji në një tas dhe shtoni kripën dhe piperin, dy vezët dhe në fund miellin. Përziejini me një lugë, derisa të bëhen si brumë.

Në një tigan të thellë hidhni shumë vaj. Kur të jetë nxehur hidhni një nga një me lugë qoftet. Pasi të skuqen, lërini në letër kuzhine, që të hiqet vaji i tepërt.