Mund të ndodhë që këto ditë të qëndrimit në shtëpi të mërziteni. Ose të frikësoheni nga një armik i padukshëm që mund të jetë futur në shtëpinë tuaj nga diçka që mund të keni prekur… Nëse ndodh kështu, zgjidhja është çokollata dhe gatimi i diçkaje që të përfshin. Ndaj mbyllni televizorin apo internetin që ju bombardon me lajme të trishta, lani duart, hapni dollapin, dhe nëse keni kakao dhe gjalp të mirë, atëherë mund të bëni këto kekët e vegjël me çokollatë. Ju duhet edhe një rrahëse elektrike për kremin e çokollatës. Unë kam atë të Smeg që është bërë shoqja ime më e mirë e këtyre ditëve, por mund të bëhet dhe me një përzierës të thjeshtë nga ata të kekut.
Përbërësit për 12 kekë të vegjël
100 gr miell për ëmbëlsira; 20 gr kakao e hidhur pluhur; 140 gr sheqer; 40 gr gjalpe ne temperature ambienti; gjysmë luge çaji pluhur fryrës për ëmbëlsira; 120 ml qumësht; 1 vezë; një çerek luge çaji pluhur vaniljeje.
Për kremin e çokollatës
300 gr sheqer pluhur (unë përdora 220 gr, sepse aq me kishte ngelur në shtëpi dhe mendova që do ishte më mirtë të ishin më pak të ëmbla); 100 gr gjalpë pa kripë në temperaturë ambient; 4) gr kakao e situr, 40 ml qumësht i paskremuar.
Nevojitet edhe:
Tabaka me format e cupcake-ve, letrat e posaçme dhe zbukurime me ngjyra.
Përgatitja
Ndizeni furrën e sobës në 170 gradë.
Rrihni në mikser ose rrahësin elektrik miellin, sheqerin, pluhurin fryrës dhe gjalpin me shpejtësi të ulët, derisa përbërja të bëhet si rërë dhe gjithçka të jetë përzierë mirë. Pak nga pak shtoni gjysmën e qumështit dhe rriheni derisa të bashkohet mirë.
Në një tas tjetër hidhni vezën, vaniljen dhe pjesën tjetër të qumështit, përziejini për ca sekonda dhe shtojeni në përzierje e parë. Rrihini në mikser për pak minuta derisa përzierja të jetë pa kokrriza.
Vendoseni brumin në format e veshura me letër, mbushini në dy të tretat e thellësisë. Piqini për 20-25 minuta, derisa të marrin ngjyrë të artë. Lërini të ftohen të tabaka përpara se t’i hiqni që të ftohen plotësisht në një enë tjetër.
Për të përgatitur kremin e çokollatës në fillim rrahim gjalpin sheqerin dhe kakaon në mikser me shpejtësi mesatare derisa të bashkohen plotësisht. Ulim shpejtësinë dhe shtojmë qumështin mbi kremin e rrahur. Pasi e kemi hedhur të gjithë qumështin rrisim shpejtësinë dhe e rrahim për së paku 5 minuta. Sa më gjatë që ta rrahim, aq më i lehtë dhe si shkumë do të bëhet kremi.
Pasi të vendosim kremin mbi kekët e vegjël, i dekorojmë me perlat me ngjyra ose grimcat e çokollatave.