Peshkun Kerr fute në furrë dhe mos e vrit mendjen

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Më qëlloi që sapo shkela në shitoren e peshkut “Shëngjini” tek Pazairi i Ri erdhi furnizimi dhe më ngelën sytë tek ky peshk i egër i Adriatikut, i cili ka pak luspa dhe hala. Nga peshqit e egër nuk është më i shtrenjti, ndaj nuk hezitova shumë për ta blerë. Ora shënonte diçka më shumë se mesdita, ndërsa në Pazar më duhej ende të merrja lakrat e egra të Lumes, por edhe një kofshë gici që kam për ta hapur vete, në mënyrë që ta mbush.

Me një fjalë, koha po shkonte drejt drekës, ndërsa unë as që i kisha ndezur furnellat. Mbërrita në shtëpi në orën 13.15, ndaj gjëja e parë që bëra ngroha furrën me 200 gradë celcius.

Përbërësit:

Peshk Kerr (1.2 kilogramë)

Hudhër (5 thelpinj)

Karkaleca të qëruar (një grusht)

Kaper (5-6 kokrra)

Domate qershi (6-7 kokrra)

Karrotë (1 copë)

Selino (1 fije)

Rozmarinë

Majdanoz (1 tufë)

Ullinj (10 kokrra)

Verë e bardhë (1 gotë uji)

Kripë

Vaj ulliri

Piper i zi

Përgatitja:

Peshkun Kerr pasi e kam qëruar për merak nga luspat dhe të brendshmet, e laj dhe e thaj me letër kuzhine. E vendos në një tavë qelqi. E kripos në bark dhe jashtë. Ia mbush barkun me një fije rozmarinë, majdanoz, hudhër dhe një kokërr domate qershi. Në pjesën anësore të tavës hedh karotën e prerë me copa, thelpinjtë e tjerë të hudhrës, selinonë e prerë me copa, kaperin, domatert qershi të ndara përgjysëm, pak majdanoz që ka tepruar, kripë, piper i zi, vaj ulliri, grushtin e karkalecave dhe e fus në furrë për 20 minuta. Më pas i shtij gotën e verës së bardhë. E lë dhe 10 minuta të tjera.

Peshku Kerr është gati, por thërret nga tava për një gotë verë të bardhë të ftohtë.