E mësova sot për herë të parë si quhej ky lloj peshku. Quhej Mic, si i thonë gegët maces, sepse nga turinjtë ngjan i tillë. Por, në fakt është peshk i familjes së peshkaqenit, i cili nuk e ka gjithë atë amoniak, prandaj nuk mban erë dhe nuk e ke të nevojshme ta marinosh më parë, siç bëjmë me peshkaqenin.
Kishte një lëkurë si të gjarpërit, pa luspa, ndërsa zotnia që ma dhuroi, më mësoi edhe si ta gatuaja.
Atë bëra sapo mbërrita në shtëpi, ndaj po e tregoj me dy fjalë, sepse është recetë shumë e lehtë, por me thënë të drejtën mjaft e shijshme.
Përbërësit:
Peshk Mic (300 gramë)
Domate (1 kokërr)
Hudhër (dy thelpinj)
Verë e bardhë (1 filxhan çaji)
Kaper (4 kokrra)
Majdanoz (1/2 tufë)
Spec djegës
Vaj ulliri
Kripë
Përgatitja:
Peshkun Mic e filetojmë. Ka vetëm shtyllën kurrizore dhe ia heqim lëkurën me thikë të mprehtë peshku. Në një tigan ngrohim vajin e ullirit, ku kemi hedhur hudhrën, specin djegës, kaperin. Në momentin që vaji është nxehur paksa vendosim copat e filetos së peshkut. E kavardisim në këtë dyja krahët. E shuajmë me verë. Presim sa të avullojë alkoli i verës dhe shtojmë domatet. Unë ndoshta bëra gabim që e preva domaten me kubikë, se me gjasë do të ishte më mirë me feta të holla.
I lëmë në zjarr të ulët pesë minuta, në mënyrë që domatja mos të shpërbëhet. I hedhim majdanozin e prerë hollë dhe e mbajmë në zjarr dhe një minutë tjetër.
E shërbejmë me një gotë verë të bardhë.