Ndoshta e keni harruar, ose ai nuk jua ka treguar kalendarin, se është i zënë me parashikimin e motit…, por sot është e hënë.
E hëna është dita e lavdisë së groshës. Sipas një studimi të ndërmarrë nga Instituti i Statistikës së rozmarina.al të hënave 83.4 për qind e shqiptarëve hanë groshë, 6.5 për qind thjerza dhe vetëm 00.1 për qind qiqrra. Këta të fundit janë aristokratë të familjeve bujare të Surrelit.
Por, ne le të përqendrohemi tek fasulet tona, të cilat propozoj t’i sjellim në një mënyrë romane, e cila me thënë të drejtën e do gotën e verës së kuqe me vete, por ju shihni dhe bëni.
Përbërësit:
Fasule të kuqe (dy grushta duarsh gruaje ose çerek kile)
Salçiçe (derri ose viçi) të freskëta (një kilogram)
Presh (1 fije e hollë)
Qepë e bardhë (gjysëm kokrre)
Spec djegës (një ose dy, varet se sa i fortë është)
Dafinë (dy gjethe)
Domate (një kokërr e madhe)
Salcë domateje koncetrat (një lugë çaji)
Vaj ulliri
Kripë
Përgatitja:
Fasulet e kuqe i ziejmë pa kripë në tenxhere me presion. Në një tigan hedhim vajin e ullirit, gjethet e dafinës, specin djegës (në vend të tij unë përdora nduja kalabreze) dhe kalojmë salçiçet të prera në copa të vogla. Shtojmë preshin dhe qepën e prerë hollë, kripën. I kavardisim pak bashkë. Hedhim salcën koncetrat dhe e shkrijmë derisa e gjithë harxhi merr ngjyrën e kuqe. Domaten e grijmë me rende dhe lëngun që përfitojmë e hedhim në tigan.
Fasulet i kullojmë dhe i shtojmë në tigan. Pasi i kavardisim të gjitha bashkë mirë e mirë me zjarr të fortë, shtojmë nga pak ujë prej lëngut të fasuleve.
I hedhim në një tavë dheje dhe i fusim në furrë të ventiluar me temperaturë 200 gratë Celcius. E kontrollojmë herë pas here, por i shërbejmë, kur e kanë pirë pothuaj të gjithë ujin, sepse duhen kremoze.
Verën e thashë në fillim, por kësaj tave i shkon rakija, qepa dhe hudhra e njomë.