Pavlova, bëje mirë, bëje me Lindën

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Linda Fishtën, përpara se ta njihja nga afër dhe ta bëja mikeshë kur punuam bashkë tek Living, e kam njohur nëpërmjet recetave të saj të thjeshta të përmbledhura fillimisht në një libër kuzhine të quajtur “200 receta”, që është sot e kesaj dite më i përdoruri në shtëpinë time. Ndryshe nga shumëkush që kur bën libër pretendon të bëjë shpikje e gjëra të habitshme, recetat e saj ishin një përmbledhje gatimesh gjithë shije, që fillimisht ajo ia niste vajzës që jetonte larg saj dhe duhej të shijonte nga duart e veta kuzhinën e të ëmës që jetonte ca mijë kilometra larg. Ndryshe nga shumë mama, këto të Lindës nuk ishin gjellë me bamje apo mashkurka (me siguri dhe ato do ia ketë mësuar të bijës, por nuk u ka gjetur vend të libër), por lloje të ndryshme rizotosh, salcra makaronash, shumë lloje pitesh e fokaçash, kek me kripë e tarta, gatime mishi dhe peshku që unë sa herë i bëj për miqtë marr vlerësime maksimale. Po ashtu edhe ëmbëlsirat, të thjeshta, gjithë shije, që të të bëjnë të ndihesh pastiçiere e mirëfilltë. Derisa mua më ngeci sharrat në gozhdë në faqet e fundit, tek ëmbëlsira më e bukur, Pavlova.

Pasi dështova herën e pare, e mora lehtë. Thirra një shoqe për ndihmë, të më mbante qesen e kuzhinës teksa e mbushja me marengën e rrahur… E hapa në tavë, u poq mirë (ose ashtu mu duk, në fund u shkatërrua kur tentova ta hiqja nga letra e furrës). Të nësërmen më doli gjumi në 5 të mëngjesit nga inati (këtu shoqja ime u ndje shumë mirë se kuptoi që dhe unë më në fund i kam ca fiksime që nuk mi dinte njeri), u përpoqa të ndreqja ç‘kisha gabuar, por Pavlova doli edhe më keq.

Zgjidhja e Lindës ishte e thjeshtë: eja ta bëjmë bashkë. Dhe më në fund arritëm të bëhemi bashkë një ditë me shi, dhe në shtëpinë e saj ajo e bëri fët e fët, sikur po bënte pite me djathë… mora shënime, filmova dhe them se tani mund ta bëj dhe vetë. Ndërkohë po ha në shtëpinë time tortën e Lindës që është thjesht perfekte: as si mastiç nga brenda, edhe me formën e ruajtur mirë nga jashtë. Dhe për të gjitha ju që doni ta provoni, mund ta ndiqni hap pas hapi të shkruar më poshtë. Ju vaftë mbarë (po e bëtë mirë që me të parën, unë do fiksohem fare).

 

Përbërësit:

Katër të bardha veze në temperarurë ambienti (të verdhat mund t’i përdorni më vonë për mbushjen); 10 lugë sheqer pluhur (220 gr); 1 lugë e vogël niseshte; 1 lugë e vogël uthull e bardhë.

Për mbushjen:

Kremi i limonit

4 limona, lëngu dhe lëkura e dy prej tyre, të verdhat e 4 vezëve (të fshatit kanë ngjyrë më të bukur); 100 gr gjalpë i ftohtë nga frigoriferi; 7 lugë sheqer

Kremi me panna:

200 ml panna ëmbëlsirash nga frigoriferi, 1 lugë gjelle qumësht panda.

Fruta pylli të ngrira ose të freskëta.

Përgatitja

Ndezim furrën në 160 gradë celcius

Në një tas rrahim me shpejtësi të ulët të bardhat e vezëve (me rrahësen elektrike), kur të nisë të bëhet masë kremoze fillojmë e shtojmë një nga një lugët e sheqerit duke vijuar rrahjen ecduke shtuar shpejtësinë dhe vazhdojmë derisa të jetë bërë maremgë (masë e ngrirë). Shtojmë niseshtenë dhe uthullën dhe e rrahim edhe një minutë me shpejtësi maksimale. Marenga përfundimtare është me shkëlqim.

Në një tavë shtrojmë letër kuzhine. Në anën e pasme të letrës kemi vizatuar një rreth sipas formës së një pjate. Në konturet e formës hapim marengën dhe i japim formë, duke hapur me spatul një gropë në mes, në mënyrë që pas pjekjes të mbushet me krem,

Për ta pjekur, që është dhe më delikatja:

50 minuta me 160 gradë dhe 20 minuta të tjera me 110 gradë.

Pasi te piqet e lëmë Pavlovën për 1 orë   brenda në furrë me derën e fures pak te hapur (vëmë një lugë druri që të pengojë mbylljen) e që ajo të vazhdojë të thahet.

 

Për mbushjet

Përziejmë të verdhat e vezëve me pirun dhe shtojmë 3-4 lugë lëng limoni. Vëmë në zjarr lëngun e limonit që na mbeti bashkë me sheqerin dhe lëkurat e limonit të grira në rende dhe i përziejmë vazhdimisht me lugë druri. Kur sheqeri të jetë tretur, e heqim nga zjarri dhe shtojmë vezët. E përziejmë mirë, e vëmë prapë në zjarr për nja dy minuta të tjera, e heqim, shtojmë gjalpin dhe pastaj e lëmë të ftohet.

Montojmë panën duke e rrahur me rrahësen eletrike, i shtojmë qumështin panda dhe e lëmë kremin mënjanë.

Frutat e pyllit, të ngrira ose të freskëta, i karamelizojmë me pak sheqer. Do I japin ëmbëlsires ngjyra dhe shije.

Në Pavlovën e ftohur, me bishtin e një luge me shumë kujdes mund të krijojmë pak më shumë zbrazti në pjesën e brendshme, duke thyer koren në brendësi të kraterit. E mbushim me kremin e panës, hedhim mbi të kremin e limonit dhe në fund fare frutat e pyllit të karamelizuara. Pak orë në frigorifer dhe është gati.