Parmigiana, që del aq e mirë, sa harron t’i bësh foto pasi mbaron

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nëse të pëlqejnë patëllxhanët në tavë, por imam bajalldia klasike dhe musakaja tradicionale të duken shumë të rënda, atëherë mund të kalosh tek varianti italian: parmigiana.

Ngjan më i lehtë, por në fakt nuk është dhe aq, se ndonëse mungon mishi Ii grirë, djathi është me shumicë. Por shija dhe “të ngrënët” lehtë, jo gjithmonë shkojnë bashkë. Dhe parmigiana është kaq e mirë, sa ndodh që edhe pse mendon ta shkruash recetën në blog, në fund, pasi del nga furra të harrosh ta fotografosh… Dhe të kujtohesh në fund fare, kur do lash pjatat.

Gjithsesi, së paku kemi foton në furrë. Të pjekur e përfytyroni vetë: djathi mocarelë dhe ai parmigiano shkrijnë :).

Përgatitja:

Lahen dhe thahen tre patëllxhanë, priten në fetë të holla, u hidhet kripë kokërrmadhe, që t’u ikë hidhësia dhe lihen të pushojnë rreth gjysmë ore.

Shtrydhen fetat nga uji, skuqen në vaj të bollshëm dhe vendosen mbi letër kuzhinë që të thithet yndyra.

Në një tigan në vaj ulliri skuqim një qepë të grirë hollë dhe pak hudhër, i shtojmë një shishe 300 gramëshe salcë domate të lëngët dhe e lëmë të avullojë në zjarr të ngadaltë. E spërkasim me piper të zi dhe disa gjethe borziloku të freskët (ndokush mund ta preferojë me rigon)..

Shtrojmë në një tavë një shtresë patëllxhanësh, mbi to vendosim djath mozarela të prerë dhe një dorë djath parmigiano të sapo-grirë. Vijojmë me një shtresë tjetër patëllxhanësh, djathrat dhe kështu derisa në shtresën e sipërme të lemë vetëm djathrat.

E pjekim në furrën e ngrohur në 180 gradë për rreth 40 minuta, derisa djathrat sipër të shkrirë të kenë marrë ngjyrë të artë.

Ndërkohë mund të pastroni pllakat dhe çdo gjë rreth e rrotull sobës, që do jenë stërpikur patjetër me salcë :).