“Darka me ushqimin tipik arab, dhjetëra pjata me meze në restorantin në Pent House të Hotel Sheraton, në fund fare, një nga ëmbëlsirat që kamarieri më tregon që ka origjinë egjiptiane dhe quhet Om Ali. Si ishte? Fundi i botës! Shpresoj t’ja dal ta gatuaj dhe ta postoj së shpejti në blog”, kisha shkruar në reportazhin për udhëtimin në Doha.
Ajo “shumë shpejt” erdhi plot një vit e gjysmë më vonë dhe ëmbëlsira e famshme egjiptiane më në fund u gatua në shtëpinë time.
Quhet Om Ali, ose Umm Ali, në shqip, Nëna e Aliut dhe ndonëse mund të jetë shumë pak e njohur nëpër botë, është ëmbëlsira kombëtare e Egjiptit. Gjurmët i gjenden deri në shekullin XII dhe ka shumë legjenda për atë që e ka shpikur, sipas disave gruaja e sulltanit, sipas të tjerave një grua e panjohur në qytet, të cilën sundimtari e takoi rastësisht. Përtej paqartësisë se cila është “nëna e Alit” ajo që është e rëndësishme është që kjo ëmbëlsirë bëhet shumë thjeshtë, kërkon vetëm pak më shumë impenjim sesa një përshesh me qumësht. Ia vlen të hahet e ngrohtë, shoqëruar me akullore me shije vaniljeje, ose dhe të ngrohet në mikrovalë ditën e nesërme për të qenë një mëngjes shumë më i shijshëm sesa drithërat e zakonshme. Mund t’i ndryshoni vetë masat dhe përbërësit sipas dëshirës, dhe ky rrezik është i vetmi gatim në këtë blog dhe nuk kërkon peshore dhe precizion të lartë. Pasi lexova shumë variante, unë e bëra kështu:
Përbërësit:
Një pako sfogliatina, mund t’i përgatisni dhe vetë me petë sfoliatë, por mund të përdorni edhe disa kruasanë, sa më të vjetër aq më mirë.
200 ml qumësht,
200 ml pana (krem qumështi)
Gjysmë tubeti qumësht të kondensuar ose një të plotë pëse petët nuk janë të ëmbla
Arra kokosi, bajame, arra, pistakë, rrush të thatë, kanellë.
Përgatitja:
Vendosni në një tavë të vogël gjysmat e biskotave stogliatina, të copëtuara me dorë. Spërkatini me arrat e kokosit dhe hidhni mbi to fritat e thata dhe kanellë sipas dëshirës. Vazhdoni me pjesën e dytë.
Në një tenxhere ngrohni qumështin, hidhni mbi të panën dhe qumështin e kondensuar dhe tretini mirë me lugë.
Hidheni qumështin mbi tavën e përgatitur dhe piqeni për rreth 10 minuta në furrën e ngrohur më parë në 180 gradë.
Ëmbëlsira është më e mirë e ngrohtë.