Një tortë e kadifenjtë për Rudinën

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Quhet “red velvet cake”, torta e kuqe e kadifenjtë dhe duket ëmbëlsira ideale për të bërë figurë të mirë. Unë e zgjodha për emisionin e pasdites në “Tv Klan”. Për fat Rudina Magjistari nuk e ka emisionin të atillë, që të kërkonte që këtë tortë ta bëja live: kështu kam mundësi të bëj një figurë të mirë, pa treguar stresin e gatimit, keku duket i bukur, pjesa e kuqe ishte vërtetë e sfungjertë dhe kremi i lehtë. Dhe doli kaq mirë, edhe pse e bëra për herë të parë, çka më bën optimiste se më pas mund ta bëj me disa shtresa dhe të nis t’i bëj me shije dhe ngjyra të ndryshme…  Ama bëra kaq shumë rrëmujë, sa mu desh një ditë e plotë të sillja shtëpinë në terezi: boja e kuqe s’di se si kishte shkuar deri në banjë, madje dhe qenushi im i bardhë kishte marrë nja dy pulla të kuqe në kurriz, kurse rrahja e panës, në tasin jo të dukur, më stërpiku mua dhe gjithë bufenë e kuzhinës. Por ama, rezultati ia vlejti.

Receta gjendet ngado, unë e kam në të paktën katër libra kuzhine. Por zgjodha variantin e Linda Fishtës, jo thjesht sepse ishte në shqip dhe i shpjeguar në çdo detaj (ëmbëlsira varet vetëm nga këto detajet, duhen ndjekur me precizion), por edhe sepse kësaj zonje i jam tejet mirënjohëse: përpara se ta njihja, unë e bëja kekun me brum të gatshëm të blerë në supermarket. Tani kam bërë tortën time të parë dhe jam e lumtur ta ndaj në blog (dhe të marr aq për kot, sa t’u premtoj gjithë shoqeve që tortat e ditëlindjeve, do ua bëj unë).

Përbërësit për tavë me diametër 22-24 cm

250 g miell 00; 115 g gjalpë që e kemi nxjerrë dy orë para nga frigoriferi; 300 g sheqer; 2 vezë të mëdha; 1 bustinë vanilje; 15 g kakao e hidhur; 240 ml laticello (shiko shënimin më poshtë); 2 lugë të vogla ngjyrues i kuq; 1 lugë e vogël uthull molle ose uthull e bardhë; 1 lugë e vogël sodë buke; ½ lugë e vogël me kripë.

  • Shënim: laticello-n mund ta përgatisim duke përzierë 120 ml qumësht pa yndyrë me 120 g kos të bardhë dhe një lugë të vogël lëng limoni. I përziejmë në një tas dhe e lëmë të pushojë për njëzetë minuta.

Përbërësit për kremin

250 g djathë “Philadelphia”; 250 g “Maskarpone”; 350 g pana për ëmbëlsira e ftohtë nga frigoriferi; 120 g sheqer pluhur; 1 bustinë vanilje.

 

Përgatitja e bazës

Në një tas hedhim miellin dhe kakaon me sitë. I lëmë mënjanë.

Me rrahësen elektrike ose në robot rrahim gjalpin për pesë minuta, shtojmë gjysmën e sheqerit dhe vazhdojmë t’i rrahim derisa të bëhen si shkumë. Shtojmë tani gjysmën tjetër të sheqerit, kripën dhe vezët një nga një, duke vazhduar përzierjen. Shtojmë vaniljen dhe ngjyruesin ushqimor. Hedhim pak laticello dhe pak miell me kakaon dhe vazhdojmë përzierjen e tyre me shpejtësi më të ulët, derisa të bëhet një masë homogjene.

Në një filxhan të vogël përziejmë uthullën me sodën dhe kur të bëhet si shkumë e hedhim me shpejtësi tek brumi, pasi soda hyn në veprim menjëherë me uthullën.

Hedhim brumin në tavë të veshur me letër furre. E pjekim në temperaturën 170 gradë në furrën e nxehur më parë, për 40 minuta (brenda mbetet pak e lagësht). E lëmë mënjanë të ftohet.

Përgatitja e kremit

Në një tas ose robot kuzhine përziejmë “Philadelphia”-n me “Mascarpone”-n, derisa të bëhen si krem. Shtojmë më pas sheqerin pluhur, vaniljen dhe vazhdojmë t’i përziejmë.

Në një tas tjetër rrahim me rrahësen elektrike panën e ftohtë. E shtojmë më pas tek tasi i kremit, duke e përzjerë me spatul, nga poshtë lart.

Kompozimi i tortës

Ndajmë tortën e ftohur me thikë në dy shtresa të barabarta. Ruajmë thërrimet që krijohen, sepse do të na shërbejnë për zbukurim. Vëmë pak krem mbi shtresën e parë, vëmë mbi të shtresën e dytë dhe tani e lyejmë gjithë sipërfaqen dhe anësoret me kremin që na ka mbetur, e zbukurojmë me thërrimet.

Torta ruhet në frigorifer për maksimumi dy ditë. E nxjerrim dhjetë minuta, para se ta shërbejmë, më e mira është të nesërmen.