Një tortë ditëlindjeje, për t’i thënë “të kam zemër”

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Kur e ke zemër dhe ai ka ditëlindjen dhe duhet të festoni vetëm të dy në shtëpi, sepse kështu ka qëlluar këtë vit, atëherë ia vlen një kek në formë zemre. Sigurisht me çokollatë. Këtë kisha menduar fillimisht, një kek të thjeshtë çokollate. Por pastaj shto ujë shto miell, doli një tortë e bukur si për ditëlindje fëmijësh. Miell dhe ujë nuk shtova fare, por një dozë dyfishe krem gjalpi me çokollatë dhe një shtresë të brendshme me reçel frutash pylli po njëherë…. Po ta kisha menduar që në fillim që do bëja një tortë të tillë, do kisha pjekur më vetë dy shtresat e kekut dhe nuk do t’i hidhja fryrës ëmbëlsirash. Por meqë ndërrova mendje rrugës dhe improvizova, ngela shumë e kënaqur me rezultatin (edhe pse jo chic, por fëminor). Sepse kur mbetesh mbyllur në shtëpi, mund të thuash “të kam zemër” edhe me një tortë të tillë, që të sjell shumë gëzim teksa e bën. Dhe shumë shije për nja dy ditë të mira, teksa e ha.

Përbërësit për tortën sic e bëra unë (ju mund ta modifikoni)

200 gr gjalpë pa kripë (dhe pak më shumë për të lyer formën); 200 gr sheqer, 200 gr çokollatë të zezë (70 %); 200 gr miell (dhe pak ekstra për të lyer formën); 5 vezë të mëdha; pak vanilje; një bustinë fryrës ëmëlsirash.

Për kremin e çokollatës

250 gr sheqer pluhur; 200 gr gjalpë pa kripë në temperaturë ambienti; 50 gr kakao e situr, 50 ml qumësht i paskremuar.

Për në mes

Reçel me fruta pylli, sa të mbulohet gjithë sipërfaqja e tortës

Për zbukurim:

Fruta të freskëta (do ishte mirë mjedra të mëdha, shkojnë shumë me reçelin në mes dhe çokollatën, por meqë nuk gjeta, përdora luleshtrydhe), sheqerka dekorative, qirinj (i bleva tek Rosman).

Përgatitja

Tresim në një enë gjalpin me çokollatën dhe i lëmë të ftohen.

Ngrohim furrën në 160 gradë celcius. Lyejmë formën me gjalpë, miell dhe e lëmë mënjanë.

Në rrahësen elektrike rrahim vezët dhe sheqerin. Pasi të jetë ftohur gjalpi me çokollatën e hedhim aty dhe vazhdojmë rrahjen. Shtrojmë miellin e situr, fryrësin dhe vaniljen dhe i përziejmë, sa të bëhen brumë. E hedhim në formën e përgatitur më parë. E pjekim për 40-50 minuta, e provojmë me krruajtëse dhëmbësh nëse është gati.

Lëmë kekun të ftohet dhe përgatisim kremin e çokollatës. Në fillim rrahim gjalpin sheqerin dhe kakaon në mikser me shpejtësi mesatare derisa të bashkohen plotësisht. Ulim shpejtësinë dhe shtojmë qumështin mbi kremin e rrahur. Pasi e kemi hedhur të gjithë qumështin rrisim shpejtësinë dhe e rrahim për së paku 5 minuta. Sa më gjatë që ta rrahim, aq më i lehtë dhe si shkumë do të bëhet kremi.

E ndajme kekun në dy pjesë horizontalisht me një thikë të gjatë. E lyejmë pjesën e mesit me krem gjalpi dhe mbi të vendosim një shtresë reçeeli. Vendosim mbi të tjesën e dytë të kekut dhe e lyejmë të gjithë sipërfaqen me një shtresë të bollshme kremi. Pjesën e sipërme e zbukurojmë me krem dhe fruta të freskëta.