Një kek për të pastruar dollapin nga qeset me fruta të thara

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Ndodh gjithmonë që të na ketë mbetur në dollapët e ushqimeve ndonjë qese letre apo vazo (ka dhe që janë aq nikoqire sa i vënë të gjitha në vazo qelqi), ku ka ngelur një grusht kështu, ca kokrra ashtu, një dorë nga ajo tjetra… Nuk janë të mjaftueshme për të bërë një gatim, shumë shpejt shija dhe aroma ikin dhe nëse për të mos i hedhur nisim e i hamë, do ndihemi më pas në faj. Atëherë duke rregulluar dollapin tim, (që për hir të së vërtetës është miks vazosh, në tentativë për t’u bërë nikoqire dhe qesesh, që i vë nxitimthi rrëmujaxhija që ndihet komode brenda meje), mendova që t’i fus të gjitha në një kek (kështu me sheqer të shtuar i bie pra të bëjnë më pak dëm sesa po t’i haja siç ishin :P). Gjithsesi kam përdorur sheqerin kaf, që do e shihni gjithmonë e më shumë në ëmbëlsirat e mia dhe më falni që për të parën herë tek përbërësit nuk po shkruaj masat ekzakte si zakonisht, por një dorë kështu dhe ca ashtu… Ju mund të përdorni gjërat që keni në shtëpi, mami im përshembull këtë kekun e bën gjithmonë vetëm me arra dhe kanellë, pa këto frutat e tjera dhe të gjithë e pëlqejnë shumë. Mund të shtoni dhe ndonjë luge kafeje xhinxher të bluar, nëse doni të zbrazni dhe atë vazo (e imja ishte zbrazur vetë).

Pra jam gati për blerje të reja për ëmbëlsirat e kësaj stine dhe shpresoj se do jem më e rregullt me kavanozët.

Përbërësit për një tavë drejtëkëndëshe:

120 gr gjalpë i butë; 150 gr sheqer kaq;  2 vezë; 125 gr kos i bardhë; 250 gr miell; 1 bustinë vaniljë; 1 lugë kafeje sodë për ëmbëlsira; një majë luge kripë; një gjysmë lugë kafeje kanellë të bluar; një grusht lajthi, arra, bajame të copëtuara; një dorë rrush të thatë, tre feta kiwi të sheqerosura; pak mango e sheqerosur; nja dy copa papaya; ca ananas.

Përgatitja

  • Ndezim furrën në temperaturën 180 gradë celcius.
  • Në robot rrahim sheqerin me gjalpin derisa të bëhen si krem. Shtojmë vezër një nga një dhe vazhdojmë t’i përziejmë.
  • Shtojmë kosin, vaniljen dhe i përziejmë.
  • Në një tas përziejmë miellin me sodën që e hedhim me sitë, kripën, kanellën dhe ia shtojmë tasit ku kemi përzierjen tjetër.
  • Shtojmë frutat e thata dhe të sheqerosura të grira dhe i përziejmë me spatul. E hedhim brumin në formën, që e kemi lyer më parë me gjalpë e miell.
  • E pjekim në furrë për rreth 60 minuta. Nëse ka nevojë e mbulojmë me letër alumini që të mos digjet në sipërfaqe. Bëjmë provën me krruajtëse dhëmbësh, për të kuptuar nëse është gati.