Një kek për Krishtlindje, që nuk është vetëm i bukur

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Meqë dimri dhe festat janë një periudhë kur shfletohen albumet fotografike, kështu po bëj edhe unë këto ditë. Veç fotove të gjyshërve dhe prindërve, të sapovëna në kornizë, dalin nga arkiva dhe fotot e ëmbëlsirave. Pas kekut të Krishtlindjeve që botova dje dhe në dilemë se çfarë të sajoj nesër, po botoj kekun tim të dytë festiv, atë të një viti më parë. Tashmë më i bukur dhe të them të drejtën, jo dhe aq më i mirë në shije, ama shumë më i veçantë. Bën bashkë shijen e agrumeve dhe atë të farave të lulëkuqes, ndërkohë që pas gabimeve të vitit të parë me glasenë, vjet shkoi gjithçka perfekt, edhe në dekorim, gjë që më jep guxim të eksperimentoj me diçka më të vështirë për këtë vit… Ndërkohë që mbaj gishtat e kryqëzuar për ëmbëlsirën e Vigjiljes që do bëj nesër, ju mund të provoni këtë kek, që me siguri do t’ju bëjë shumë krenare, kur ta servirni në tryezë.

Receta është marrë nga libri i mikeshës sime Linda Fishta (ju këshilloj ta blini ose ta bëni dhuratë, nëse keni qejf gatimin dhe doni receta të thjeshta, jo nga ato gourmet) dhe për kuriozitet është ndër të vetmet ëmbëlsira që kam gatuar dhe që nuk kanë gjalpë.

 

Përbërësit

225 gr sheqer; 280 gr miell; 12 gr sodë për ëmbëlsira; një majë thike kripë, 130 ml lëng i freskët portokalli; lëkura e një limoni e gjysmë, e grirë në rende; lëkura e një portokalleje e gjysmë, e grirë në rende; 140 ml vaj luledielli, 3 vezë; 100 gr fara lulëkuqesh.

Për salcën e portokallit

150 ml lëng portokalli i freskët; 150 gr sheqer; 100 ml ujë.

Për zbukurim

Fruta pylli sipas dëshirës.

 

Përgatitja

Ndezim furrën në 170 gradë celcius.

Në një tas të madh hedhim lëngun e portokallit, vajin, vezët, sheqerin, miellin dhe sodën me sitë, kripën, farat e lulëkuqeve, lëkurën e limonit dhe të portokallit. I përziejmë vetëm pasi t’i kemi hedhur të gjithë përbërësit, me shumë forcë me dorë me rrahësen e vezëve, duke u përpjekur që brumi të marrë sa më shumë ajër, sepse kjo do të na e bëjë kekun akoma edhe më të butë.

Hedhim brumin në tavën e lyer me gjalpë dhe miell dhe e pjekim për dyzetë minuta (bëjmë provën me kruajtësen e dhëmbëve)

Për salcën me portokall, hedhim të gjithë përbërësit në një tenxhere të vogël dhe e vëmë në flakë të ulët derisa të trashet, sipas dëshirës.

Kur keku të jetë pjekur, e shpojmë në sipërfaqe me kruajtëse dhëmbësh dhe i hedhim sipër salcën e portokallit, pjesë pjesë, në mënyrë që të përthithet nga keku. Lëmë pak mënjanë, në mënyrë që t’ja hedhim sipër, pasi ta kemi përmbysur në pjatë.

Pasi të kenë kaluar njëzetë minuta dhe keku e ka thithur gjithë salcën, e përmbysin në pjatën që do ta shërbejmë dhe pasi e shpojmë përsëri me kruajtëse dhëmbësh, e lagim me salcën që na ka mbetur.

E dekorojmë me frutat e kuqe, me sheqer pluhur degë rozmarine, gjethe menteje.