Një drekë me sardele që bëhen sa çel e mbyll sytë, por në fillim linguine me fruta deti

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Në këtë periudhë në çdo shitore peshku gjen sardele me shumicë, por në përgjithësi namuzqarët e kuzhinës nuk i preferojnë. Por, sardelja ka një të mirë të madhe që është peshk i egër dhe në të gjitha rastet ka shije të jashtëzakonshme.

Madje, po të jenë pak të mëdha mund t’i bësh në tenxhere me presion që të lësh thonjtë.

Fjala vjen me 1000 lekë blen pak kallamar e karkaleca dhe nja 1 kilogramë e gjysëm sardele e bën një drekë me linguine dhe këtë tavë që të nderon, kudo që e shërben.

Përbërësit:

Sardele (1.5 kilogramë)

Vaj ulliri (1 filxhan kafeje)

Uthull (1 filxhan kafeje)

Dafinë (tre gjethe)

Piper i zi kokërr

Piper i kuq kokërr

Kripë

 

Përgatitja:

Sardelet pasi i ke qëruar dhe nëse dëshiron i heq kokat. Unë i heq edhe shtyllën kurrizore duke e filetuar të gjithën.

Në tenxhere hedh vajin e ullirit dhe gjethet e dafinës. Sardelet i shtron si shtrat dhe përsipër i hedh kripën, kokrat e dy llojeve të piperit dhe në fund uthullën.

Mbylle tenxheren dhe vëre në zjarr mesatar. Hiqe pesë minuta pasi të ketë filluar çuf-çufi.

Shërbeje së bashku me lëngun që ka në fund. Shkon me sallatë dhe verë të bardhë të ftohtë.

Linguine me fruta deti

Përbërësit:

Kallamar (150 gramë)

Karkaleca deti (150 gramë)

Spec djegës (2 copë)

Kaperi (katër kokrra)

Hudhër e njomë (1 fije)

Domate qershi (6-7 copë)

Vaj ulliri

Majdanoz (1 tufë)

Kripë

Verë e bardhë (1 filxhan çaji)

Përgatitja:

Në ujin që po ziejnë shtijmë kripë dhe hedhim makaronat linguine.

Paralelisht në një tigan kremi ngrohur vajin dhe shtojmë hudhrën. Sa t’i japim pak aromën vajit shtojmë specin djegës dhe frutat e detit, të lara, të thara dhe të prera në copa të vogla.

Pasi ia marrim pak mendjen i shuajmë me verën e bardhë. E lëmë sat ë avullojë alkoli dhe shtojmë domatet qershi të prera në përgjysëm. Ndërkohë që makaronat kanë plotësuar kohën e zierjes i bashkojmë bashkë. Shtojmë dhe majdanozin e prerë hollë.

Nëse dëshironi në pjata mund të hidhni vezë peshku të grirë, ose thënë ndryshe putarga. Nëse jo nuk prish punë. Kjo është pjata e parë e drekës, ani se e paraqitëm të dytën.