Sa herë bie telefoni a dera dhe mëson që ke mysafirë për drekë, nuk ke pse ta fshehësh që të kap alarmi se ç’haje ke në frigorifer apo sepet.
E para, duhet të bësh figurë të mirë.
E dyta, të ka mbetur frika e racionimit të shokut Enver, ku terrori se mos je ende në ato kohë ku binte miu dhe thyen kokën gjallon ende diku brenda teje.
E treta, ke ngrënë gjithë ditën patatina, se ke përtuar të bësh pazar.
Ndaj, kur e hapa frigoriferin pas vetëm ca salçiçe që i kisha marrë në SPAR, për fat të freskëta. E ke vetë në dorë t’i zgjedhësh viçi apo derri. Ndërkohë syri më kapi edhe ca kërpudha që më kishin tepruar nga një ditë përpara.
Për të tjerat, të duhen vetëm 15 minuta dhe ia ku e bëre një të parë dhe një të dytë. Mos harro vendos më parë një tenxhere me ujë për makaronat, se më poshtë ta tregoj unë si bëhet kjo punë.
Përbërësit:
Makarona (500 gramë të llojit çfarë të gjendet. Unë përdora kërmill, se ato kisha)
Salçiçe të freskëta (1 kilogramë)
Kërpudha (pesë copë)
Spec djegës
Hudhër (5 thelpinj)
Presh (1 fije)
Qepë (gjysëm kokrre)
Verë e bardhë (një filxhan çaji)
Verë e kuqe një (filxhan çaji)
Domate qershi (pesë copë ose një kokërr e vogël domate e prerë në kubikë)
Domate gjelle (dy kokrra nga ato të mbaruarat fare)
Majdanoz (një tufë)
Kripë
Vaj ulliri
Pjata e parë, makarona me salçiçe dhe kërpudhë
Në një tigan shtin vaj ulliri, thelpinjtë e hudhrës, dhe speca djegës. Ndërkohë salçiçen e zhvesh nga zorra dhe e punon me thikë ose gjysëmhënë që të bëhet me copa sa më të vogla. E hedh në tigan dhe i kavardis me zjarr mesatar. Mos harro të shtosh kripën. Pas nja 7 minutash shtin kërpudhat e prera hollë. I kavardis edhe 5 minuta. I lag me verë. Sa të avullojë alkoli i verës hidh korrat e domates qershi të prera hollë. Pas dy minutash shtoji makaronat e ziera, përzieji dhe griji pak majdanoz. Sipas dëshirës mysafiri mund t’i shtojë djath të grirë ose piper të zi, ose të dyja bashkë.
Pjata e dytë, tavë dheje me salçiçe
Në një tigan hedh vaj ulliri, spec djegës, fijen e preshit të prerë hollë, gjysmën e kokrrës së qepës të prerë hollë dhe gjethen e dafinës. Shto kripën. I lë të marrin pak anë dhe shton salçiçet e prera në tre pjesë. I kavardis bashkë nja 10 minuta dhe i shuan me verën e kuqe. Domatet e gjellës i kalon në rende që t’u marrësh vetëm lëngun. Sa avullon alkoli i verës shton lëngun e domates. Ul zjarrin. Pas pesë minuta i hedh në një tavë dheu dhe i fut në furrë me temperaturë 200 gradë. I shërben ashtu si janë të nxehta dhe shto në tryezë, nëse të gjendet, pak qepë, turshi dhe ndonjë gotë raki. Mos e vrit mendjen që Iva nuk e ha qepën të gjallë.