Nektarina dhe lulëkuqe, më lehtë se kaq nuk ka

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Për këtë kek jam shumë krenare: e kam “shpikur” vetë. Kisha provuar në të tjera ëmbëlsira se sa shkonin nektarinat me farat e lulëkuqes, një brum i lehtë fare me gjalp e vezë, thjesht 10 minuta punë (më shumë minuta i ha qërimi dhe prerja e nektarinave) dhe keku është gati. E bëj zakonisht shpejt e shpejt pasditeve, por nëse nuk duhet të dal me shumë nxitim nga shtëpia, e bëj edhe në mëngjes dhe në ato 50 minuta që kërkon pjekja, bëj punët e tjera, përfshirë dhe daljen me qenin poshtë pallatit.

Aroma e shtëpisë pastaj zgjat gjatë gjithë ditës. Aq, sa nuk di ta ndaj, nëse më pëlqen më shumë aroma, sesa vetë keku.

 

Përbërësit

100 gr gjalpë

2 vezë

150 gr sheqer

220 gr miell

8 gr fryrës ëmbëlsirash

3 kajsi (ose 2 të mëdha, nëse nuk keni zakonin që hani, teksa qëroni)

Fara lulëkuqeje

 

Përgatitja

Në një enë rrahim me rrahësin elektrik gjalpin dhe sheqerin, shtojmë dy vezët dhe i rrahim sërish. Shtojmë miellin dhe fryrësin dhe i përziejmë.

E shtrojmë brumin në tavën e lyer më parë me gjalpë dhe spërkatur miell. Vendosim vertikalisht fetat e kajsive dhe e spërkasim ëmbëlsirën sipër me fara lulëkuqeje.

E pjekim në furrën e nxehur paraprakisht në 170 gradë për 50 minuta, bëjmë provën me krruajtësen e dhëmbëve për të parë nëse është pjekur plotësisht.