Muskul viçi me uthull dhe dafinë për të çarë rrethimin

4 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Meqë na porositën se duhet ngrënë vetëm dy herë në ditë, sa çela sytë më vajti mendja tek ky muskuli i viçit që me thënë të drejtën i prerë në ato copa aq të vogla dukej shumë bukur dhe pa e gatuar fare.

Këtu jemi në ujrat e kuzhinës tradicionale, ku përgatitja i ngjan çomlekut, por nuk bëhet me qepujka.

Tani që shkruaj e gjithë shtëpia vjen era uthull rrushi të bardhë dhe të karantinuarit janë duke e ngatërruar sillën e mëngjesit me atë drekës, por punë e madhe, se nuk i japim kujt hesap.

Qejf i madh është të rrish me pizhama, pantofla, të ngjyesh çapën e bukës në gjellë e pse jo ta shkullosh putirin e rakisë.

Përbërësit:

Muskul viçi (një kilogram)

Qepë (një kokërr e madhe e bardhë dhe një kokërr e madhe e kuqe)

Domate (dy kokrra)

Salcë domateje koncetrat (një lugë gjelle)

Hudhër e njomë (dy fije)

Dafinë (tre gjethe)

Uthull e rrushit të bardhë (një filxhan çaji)

Piper i bardhë

Pier i zi

Spec i kuq pluhur

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Në një kusi guri ose gize ngrohim vajin e ullirit që e aromatizojmë me gjethet e dafinës. Shtijmë copat e muskulit të lara dhe të thara me letër kuzhine. Bëjmë një kavardisje të lehtë me zjarr të fortë. E spërkasim mishin me dy llojet e piperit dhe specin e kuq pluhur.

Ulim zjarrin dhe shtijmë qepën e hudhrën të prerë hollë, por jo kubikë. I kavardisim bashkë për disa minuta, derisa qepa e bardhë bëhet si e vërdheme. E shuajmë me uthullën e rrushit. I përziejmë bashkë për dy minuta dhe shtojmë salcën e domates koncetrat. Sërish i përziejmë dhe e lëmë masën të thithë salcën.

Domateve të freskëta u heqim lëkurën dhe i presim në kubikë. I shtijmë në kusi. Bëjmë një tjetër përzierje. Hedhim një gjysëm gote uji. Kusinë e mbulojmë me kapak dhe e vendosim mbi zjarr shumë të ulët. Herë pas here e kontrollojmë mishin me pirun a ka zier ose nëse i duhet ujë gjellës. Por, kujdes ngapak ujë, jo me tasa.

Pas dy-tre orësh, kur mishi të jetë zier, shtojmë kripën. E lëmë dhe pesë minuta dhe e shërbejmë.

Kjo gjellë mund të hahet pa pirun, vetëm me kafshatën e bukës. Bëjeni, se nuk ju gjykon njeri për keq. Palca e kockës është një tjetër mrekulli në këtë gatim.