Mirëserdhët bathë të freskëta (një recetë e gjyshes jo vetëm për vegjetarianë)

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Bathët futen tek bishtajat që dikur shqiptari i përdorte shumë shpesh, ndërsa tani janë bërë rrallë e për mall. Nëse i shihni në tregje apo shitore, të freskëta, se ia kanë kohën, madje megjithë bishtaja, “rrëmbeji”, se nuk e ke idenë se sa shumë ia vlejnë.

Unë kam do ditë që i kam gjetur dhe i përdor madje edhe sallatë, ashtu të pagatuara. Hidhi vaj ulliri dhe uthull ose limon, majdanoz, pak kopër dhe janë të shkëlqyera.

Sot, kam ndjekur një gatim të thjeshtë të gjyshes, por ndryshe prej saj nuk përdora mish viçi, pasi dolën si shpirt edhe pa të. Pastaj, të paktën në verë duhet ta rrallojmë me sa mundemi mishin e kuq. Kemi dimrin për këtë punë.

Përbërësit:

Bathë të freskëta (200 gramë)

Qepë e njomë (2 fije të shëndosha)

Domate gjelle (1 kokërr e madhe ose 2 të vogla)

Lëng zarzavatesh (250 gramë ose 1 dado koncetrat)

Majdanoz (1 tufë)

Kopër (1 tufë)

Spec djegës (1 copë)

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Në një enë të mbushur me ujë të ftohtë hedhim bathët dhe i lëmë për ndonja gjysëm ore. I kullojmë dhe i heqim lëkurën që është bynuar prej ujit, e cila del shumë lehtë.

Në një kusi ngohim vajin e ullirit dhe shtijmë qepën e njomë të prerë hollë, së bashku me specin djegës. Pasi marrin pak faqe shtijmë domaten e gjellës, të cilën e kemi kaluar në rende dhe i kemi marrë vetëm lëngun.

I lëmë vetëm një minutë bashkë dhe shtojmë bathën e qëruar. Pas dhjetë minutash me zjarr të ulët shtojmë lëngun e zarzavateve ose dadon koncetrat. Kusisë i vendosim kapakun dhe e lëmë në zjarr të ngadaltë për njëzetë minuta.

Shohim nëse batha është zier, por bëhet shumë shpejt gati brumë. Shtojmë majdanozin dhe kopërin e prerë hollë. Pas një minute sa të marrë erën e majdanozit dhe kopërit e shuajmë zjarrin dhe e lëmë një një çerek ore në kusi me kapak mbuluar.

Shërbeje dhe ia ku e shijove bishtajën më të mirë të pranverës.