Stina e verës e lehtëson pak kuzhinën nga përdorimi i furrës, ku drejtimin e merr tigani. Përfitojmë pjata të shpejta, të shijshme, në të cilat mund ta lëshojmë disi fantazinë.
Fjala vjen, përdorimi i miellit të misrit me peshkun është një farë ekstravagance, e cila të lë pa fjalë.
Për jo më shumë se çerek ore do të keni përgatitur një mrekulli që jo vetëm do t’ju zbardh faqen, por të ta kërkojnë ta gatuash përsëri pa u ngritur enët e palara nga tryeza.
Përbërësit:
Merluc ose gjuhëz (700 gramë – të filetuara)
Miell misri (200 gramë)
Hudhër (katër thelpinj)
Limon (1 kokërr)
Verë e bardhë (1 filxhan çaji)
Rozmarinë (1 fije e freskët)
Sherebelë (1 fije e freskët)
Vaj ulliri
Majdanoz (1 tufë)
Kripë
Piper i kuq kokërr
Përgatitja:
Filetot e merlucit ose gjuhëzës i lyejmë me miellin e misrit, të cilin e kemi hedhur në një tavë. Në një tigan ngrohim vajin e ullirit me hudhër. Kalojmë filetot e peshkut në zjarr mesatar duke i kthyer në të dyja anët. I kriposim, hedhim fijen e rozmarinës, sherebelës dhe piperin e kuq.
Në momentin, kur vëmë re se peshku po merr ngjyrë floriri të thellë, shtijmë verën e përzier me lëngun e limonit.
E lëmë në zjarr të ngadaltë sa të dalë alkoli i verës dhe lëngu në tigan të bëhet më i trashë. I hedhim sipër majdanozin e grirë hollë dhe e i lëmë të pushojnë dy minuta me një kapak përsipër, por zjarr të shuar.
E shërbejmë së bashku me një gotë verë të bardhë të freskët.