Me shijen e lindjes së Mesme lakrat e Brukselit janë tjetër gjë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Më duhet ta pranoj: nëse nja tri vjet më parë dikush do më thoshte që do vinte dita dhe mua do më dukeshin të mrekullueshme lakrat e Brukselit, do t’i thoja që kjo ka gjasë të ndodhë kur të bjerë dëborë në gusht. Por ja që mirë është që kurrë të mos thuash kurrë (siç po vjen kjo puna e motit edhe dëbora ndoshta na zbardh ndonjë ditë vere). Dhe mirë është të mos vësh kurrë baste në kuzhinë, sepse shijet me kalimin e kohës ndryshojnë. Sa më shumë të udhëtosh, sa më shumë të njohësh kultura të tjera, aq më shumë dhe qiellza nis të shijojë ato gjëra që më parë mund t’i kishe shtyrë tutje duke rrudhur buzët.

Lakrat e Brukselit kam nisur t’i ha vetëm së fundmi. Edhe pse kisha lexuar që janë ndër perimet më pasura dhe më të shëndetshme, sërish kur më vinin si shoqëruese në pjatë nuk i fusja në gojë. Kishte diçka tek hidhësia e tyre që më bënte të mos më pëlqenin. Pastaj pak nga pak, kur i provova të gatuara me gjalpë e pashë që mund t’i haja. Në Krishtlindje në shtëpi i gatuam të pjekura me lëng e lëkurë limoni dhe parmixhano të grirë. Kurse me këtë recetë me shijen e  erëzave të Lindjes së Mesme, të pjekura bashkë me finokun ishin thjesht “fundi i botës”. Provojini dhe do të më besoni. Dhe nëse dini ndonjë marifet se si ta bëj edhe brokolin kaq të shijshëm dhe të arrij më në fund ta ha edhe atë, do t’jua dija me të vërtetë shumë për nder.

Përbërësit:

500g lakra Brukseli; 1 lugë çaji fara kumini, të pjekura, 2 lugë çaji farë koriandre; 2 qepë të vogla të kuqe të prera në feta të holla; një zhardhok finoku; 1 lugë gjelle vaj ulliri; 1 lugë çaji susam të bardhë të pjekur; një grusht lajthi të pjekura; 200 gr kos; 2 lugë gjelle tahini; një thelpi hudhre i shtypur mirë; lëkura dhe lëngu i një gjysme limoni; gjysmë luge sumak; kopër dhe gjethe menteje për zbukurim.

Përgatitja:

Ngroheni furrën në 200 gradë.

Zjejini paraprakisht lakrat në ujë të kripur për rreth 3 minuta, ose derisa të zbuten. Kalojini në një kullonjëse dhe lërini mënjanë.

Rrihni në havan farat e kuminit dhe koriandrës me pak kripë. Treçerekun e tyre përziejeni me lakrat, finokun e prere dhe qepët dhe vajin e ullirit. Përziejini mirë derisa erëzat dhe vaji për përhapen dhe pastaj ndani lakrat në një tave dhe qepën me fikokun në një tjetër.

Piqeni përzierjen me qepë për një orë derisa të karamelizohet ndërsa lakrat për rreth 40 minuta, derusa të nisin të marrin ngjyrat. Pastaj bashkojini të dyja bashkë dhe lërini në të ngrohtë.

Bluani në havan farat e susamit dhe lajthitë e pjekura. Bashkojini me erëzat e mbetura dhe lërini mënjanë.

Bashkoni kosin me tahinin e hudhrën me lëngun dhe lëkurën e limonit. Shtrojeni këtë salcë në pjatën ku do servirni dhe spërkateni me sumak. Shtroni mbi të perimet e pjekura, hidhni sipër lajthitë e grira me erëza dhe zbukurojeni me kopërr dhe mente të freskët.