Me ngjyra dhe shije Krishtlindjesh

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Eshtë një ndër të parat ëmbëlsira që kam bërë, ndaj glaseja më doli më e hollë nga ç‘duhej dhe mungon bardhësia mbi kek. Ama Krishtlindjet e dy viteve më parë për të parën herë në shtëpinë time kishin një ëmbëlsirë tipike për këtë festë, në ngjyra dhe në shije. Xhenxhefili, kanella dhe frutat e thata i japin një shije të jashtëzakonshme, dekori sipër mund të përshtatet me gjethe menteje dhe gliko qershie ose fruta të vogla të kuqe dhe degë rozmarine. Në këtë mënyrë mund të surprizoni të ftuarit. Ose thjesht të keni foto të bukura me frymën e festës.

Përbërësit për bazën

250 gr miell; 150 gramë gjalpë i zbutur në temperaturë ambienti në copa të vogla; 100 gr sheqer; 125 gr djathë Philadelphia; 2 vezë; 1 bustinë pjekës ëmbëlsirash; 125 gr rrush i thatë; 80 gr lajthi dhe arra të copëtuara; 70 gramë fruta të sheqerosura të copëtuara; 1 lugë kafeje xhenxhefil pluhur; gjysmë lugë arrë moskat pluhur; 1 lugë kafeje kanellë pluhur.

Përbërësit për glasenë

200 gr sheqer pluhur; 20-30 ml lëng limoni ose ujë; gjethe menteje; disa kokrra gliko qershie.

Përgatitja

Ngrohim furrën në 180 gradë celcius.

Rrushin e thatë e fusin të zbutet në një tas për dhjetë minuta. Më pas e shtrydhim me dorë për t’i hequr ujin e tepërt, e thajmë me pecetë letre dhe e përziejmë me pak miell.

Përziejmë me rrahësin elektrik sheqerin dhe gjalpin, sa të bëhet krem. Pastaj me lugë druri e përziejmë këtë krem me vezët, shtojmë djathin Philadelphia, miellin dhe gjithë përbërësit e tjerë.

Hedhim brumin në formën e lyer me parë me gjalp dhe miell dhe e pjekim për 40-50 minuta. Bëjmë provën me krruajtëse dhëmbësh, që duhet të dalë e thatë.

Për glasenë përziejmë me pirun lëngun e limonit me sheqerin.

Ia hedhim sipër kekut, kur të jetë ftohur plotësisht, dhe e zbukurojmë.