Torta me mollë e me thërrmija është një nga ëmbëlsirat më të mira për vaktin e mëngjesit (nëse nuk jeni tipi i vezëve të skuqura). Bëhet shpejt dhe nuk ka nevojë të bëni pazar për të bërë një ëmbëlsirë të tillë. Nëse nuk keni një dorë arrash për pjesën e sipërme të thërmijave, atëherë mund ta shmangni dhe të bëni një kek të thjeshtë me mollë e kanellë.
Përbërsit për një tave me diametër 22 cm:
Për tortën: 250 gr miell; 2 mollë të kuqe; 120 gr gjalpë; 120 gr sheqer; 100 ml qumësht; 2 vezë; 8 gr fryrës ëmbëlsirash; një lugë të vogël kanellë.
Për thërrmijat: 50 gr arra; 70 gr miell; gjysmë luge e vogël kanellë; 40 gr sheqer, 25 gr gjalpë; sheqer pluhur për ta zbukuruar.
Përgatitja:
Në fillim përgatisim pjesën e sipërme të tortës. Grini në mikser arrat dhe shtoni gjithë përbërësit e tjerë dhe punojini derisa të formohen thërmijat. Mund ta bëni këtë proces edhe duke e punuar brumin me dorë, mjafton të grini më parë arrat derisa të bëhen pluhur.
Në një tas përziejmë me rrahësen elektrike gjalpin me sheqerin dhe i rrahim derisa të bëhen krem. Shtojmë një e nga një vezët dhe vazhdojmë përzierjen.
Në një tas bashkojmë miellin me kanellën dhe fryrësin e ëmbëlsirave. I hedhim pjesë pjesë tek gjalpi i rrahur me sheqer dhe vezë duke vazhduar rrahjen. Në fund shtojmë edhe qumështin dhe e rrahim derisa brumi të jetë bërë i plotë.
E hedhim brumin mbi tavën me unazë të lëvizshme, që e kemi lyer më parë me gjalpë e miell. Shtrojmë mbi të mollët e prera në feta të holla dhe mbi to hedhim thërrmijat.
E pjekim tortën për rreth 45-50 minuta në furrën e ngrohur më parë në 175 gradë. E pudrosim me sheqer pluhur.