Më falni për mungesën e modestisë, por shëndetlia ime doli “fundi botës”

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E kisha me merak këtë ëmbëlsirë: e para, nuk e kisha bërë kurrë dhe e dyta, në shtëpinë time nuk e kemi traditë shëndetlien. E mbaj mend para shumë shumë vitesh, kur teta Vjollca, mami i Mandës, e kishte bërë për Vit të Ri në vend të bakllavasë dhe që atëherë nuk më kishte ndodhur më të haja një aq të mirë. Kam provuar gjithfarësh, të freskëta e të paketuara, nëpër dyqane e në shtëpi, gjithmonë e kam ngulur pirunin me shpresën që do provoja sërish atë shijen e dikurshme, por jo. Në gjithë këto vite nuk më ka ndodhur që të arrij të ndiej aq të fortë shijen e mjaltit, arrave e gjalpit si atëherë.

Meqë kërkova të falur për mungesën e modestisë që në titull, po vijoj: shëndetlia ime më parë i afrohej më shumë asaj të kujtimeve, thjesht ishte pak më e shkrifët (nga qejfi i hodha pak më shumë mjaltë se receta, ndoshta ndaj ka dalë më e butë, ju thjesht ndiqni recetën besnikërisht). Që kur ishte në furrë e kuptova që do dilte shumë e mirë, aroma nuk linte vend për dyshime. Pasi i hodha shërbetin dhe dola për darkë, në kthim zbulova që edhe shkallët e pallatit vinin erën e mirë të shëndetlies…

E kam një ide se përse doli kaq e mirë: zgjedhja e përbërësve. Këtë vit kam blerë në një fshat të Gjirokastrës një shishe me mjaltë shumë shumë të mirë, që e mbush aneksin me aromë sapo i hap kapakun. Dhe kam përdorur gjalpin më të mirë që shitet sot në Tiranë. Dhe ka shumë arra, në çdo pirun të qëllon një copë arre… Nëse kjo lloj ëmbëlsire nuk bëhet me përbërësit më cilësorë, atëherë nuk nuk ia vlen fare të gatuhet. Vërtetë kushton, por jo më kot kjo është nga ato gjëra që bëhen rrallë. Ndaj në shumë familje, e kanë si zëvendësuese të bakllavasë.

Përbërësit

(për një tavë me 24 copë shëndetlie)

3 gota uji miell gruri

1 gotë uji me sheqer

3 lugë gjelle mjaltë

3 kokrra vezë

200 gr gjalpë

200 gr arra

1 lugë kafeje sodë

Dy filxhane kafeje me ujë

Për shërbetin

3 gota uji sheqer

2 gota e gjysmë ujë

Pak vanilje

 

Përgatitja

Në një enë përziejmë mirë dy nga vezët, sheqerin, mjaltin dhe gjalpin, në temperaturë ambienti, të prerë në kubikë. Kur të jetë bërë një masë homogjene shtojmë arrat.

Më pas masës i shtojmë miellin, ku kemi përzierë dhe sodën. Brumi nuk duhet punuar shumë që të mos bëhet elastik.

E hedhim brumin në tavën e lyer më parë me gjalpë. Rrahim vezën tjetër dhe lyejmë me të me një furçë kuzhine brumin në tavë. I bëjmë disa viza me pirun. E pjekim në furrën e nxehur më parë në 175 gradë për 40-45, sa të marrë sipër ngjyrë kafe të thellë. Bëjmë provën me krruajtëse dhëmbësh.

Pas pjekjes ftohet dhe pritet në formë rombi.

Ndërkohë përgatisim shërbetin, ujin sheqerin dhe vaniljen i vëmë ne zierje derisa sheqeri të ketë shkrirë plotësisht dhe lëngu të nisë të trashet. E hedhim të vakët mbi ëmbëlsirë dhe e lëmë të pushojë disa orë.