Me cironkat e marinuara bën ca makarona që të venë në zemër

4 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Janë të tharta, por shumë të mira, cironkat ose sardelet e marinuara me uthull dhe hudhër, por nuk përdoren vetëm si meze. Mund t’i kesh edhe për pjatën e parë, fjala vjen me makarona të gjata ose orecchiette.

Në fakt, ndoshta jo për ditë, por në fundjavë ca makarona të mira të shkojnë pas fijes, veccanërisht kur e vë re se divani të pret me barkun plot që të zdërhallesh cazë.

Përbërësit:

Cironka të marinuara (250 gramë)

Hudhër e njomë (2 fije)

Domate kokërr (2 copë mesatare)

Spec djegës

Kripë

Vaj ulliri

Makarona orecchiette (500 gramë)

Përgatitja:

Në një kusi vendosim ujin me kripë që të vlojë për makaronat. Në tigan hedhim vajin e ulliri, hudhrën e prerë hollë, kripën dhe specin djegës. Cironkat ose sardelet e marinuara me uthull dhe hudhër i shplajmë mirë e mirë në ujë të rrjedhshëm. I thajmë me letër kuzhine dhe i presim në copa të vogla. Shplajini pa merak dhe pak të tharta prej uthullës do të mbeten dhe kjo do i japë hijeshi pjatës.

I shtijmë cironkat në tigan. Në kusinë e vluar hedhim kokrat e domates për dy minuta. Domates i nxjerrim jashtë dhe i ftohim me ujë të ftohtë. I heqim lëkurën, e cila del shumë lehtazi dhe në një mikser e bëjmë lëng. E hedhim në tigan. Në anën tjetër, tek kusia hedhim orecchiette-t. Pasi ato ziejnë aq sa duhet dhe aq sa i doni ju makaronat i hedhim në tigan. I përziejmë dhe i shërbejmë. Janë pak të athëta, por shumë të mira.