Le t’i themi lamtumirë siç duhet stinës së qershive: me çokollatë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Zgjat pak javë stina e qershive dhe është kaq e bukur! Për fat po zgjat gjithmonë e më shumë, dikur kokrrat e kuqe i kishim në duar dhe i varnim nëpër veshë vetëm në fund të majit dhe pak në qershor. Tashmë që në ditët e para të majit dhe deri të mes të korrikut: e keqja është që çmimi në Tiranë nuk u pa kurrë nën 250 lekë, mbeti në atë që ishte ishte në fund të majit ndërsa qershitë e verdha, ato që ia vlejnë për gliko, nuk dolën fare. Por gjithsesi stina qe e bukur dhe e ëmbël dhe me qershitë e kuqe dhe vishnjë arrita të bëj një gjë midis reçelit dhe glikosë, që jo vetëm është e mirë në shije për të ngrënë në mëngjes bukën me gjalpë, por ia vlen dhe për dekor për ëmbëlsira në të ardhmen (po arriti gjallë deri tek e ardhmja).

Për ta mbyllur këtë stinë zgjodha një tortë të thjeshtë qershish me çokollatë. Brumi me çokollatë mund të rrijë dhe më vete, mund të bëhet edhe me dardha (madje këto të fundit shkojnë ca më shumë me çokollatën), mund të bëhet edhe me borronica, stina e të cilave po zëvendëson atë të qershive. Fruta që ikin, fruta që vijnë… Jeta në Shqipëri nuk është më e thjeshta dhe më e bukura në botë, por e kemi në dorë së paku t’i japim sa më shumë shije, brenda shtëpive tona. Dhe asgjë nuk e bën shtëpinë më të dashur sesa një tortë çokollate, e sapodalë nga furra.

Përbërësit për një tavë me diametër 20-22 centimetër

200 gr qershi pa bërthama

200 gr çokollatë fondente

100 gr gjalpë

100 gr sheqer

100 gr miell 00

3 vezë

Pak vanilje dhe pak kripë

Gjysmë bustine fryrës ëmbëlsirash (nëse bustina është 8 gramëshe, përdorni një të plotë)

Përgatitja

Ndezim furrën në 180 gradë celcius. Veshim tavën me letër kuzhine dhe e lyejmë me pak gjalpë. Hedhim në të qershitë pa bërthama.

Në një enë shkrijmë çokollatën me gjalpin në zjarr mesatar dhe kur të bëhet masë e lëngët e heqim dhe e lëmë të ftohet.

Rrahim vezët me sheqerin. Shtojmë vaniljen, kripën dhe pluhurin fryrës dhe i rrahim sërish. Shtojmë miellin dhe e trazojmë. Shtojmë mbi to çokollatën me gjalpë dhe i trazojmë derisa të bashkohen mirë.

E hedhim brumin mbi qershitë në tavë dhe e pjekim për rreth 45 minuta. Mirë është që ta mbulojmë me letër alumini që mos të djegim qershitë, siç më ndodhi mua që e anashkalova këtë hap :).