Le të shkrihemi me gjalpë (dhe nga i nxehti i furrës)

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Vera nuk është stina ideale e biskotave (Krishtlindjet po, që janë!). Por përtej ëmbëlsirave të lehta me fruta, përtej çdo lloj cheese cake-u apo panna cotte apo mus me çokollatë, kur vjen puna për të shoqëruar kafen, si biskotat nuk ka. Me gjalpë sigurisht (në shumë libra në shtëpi kam shumë receta me vaj kikiriku, por gjithmonë bëj një hap pas dhe zgjedh sërish ato me gjalpë).

Ia vlen pra një sakrificë dy orëshe në mes të vapës, për të pasur në shtëpi biskota të freskëta për ditët në vijim. Receta e mëposhtme mund të shërbejë si bazë, për shumë lloj bisokotash: pasi ta bëni brumin mund ta ndani në tre katër pjesë dhe të bëni përzietje të ndryshme. Njërës pjesë mund t’i shtroni rrush të thatë ose boronica. Një tjetre copa çokollate dhe lajthi të shtypura. Ose t’i shtoni pak miell tërshëre. Unë kësaj radhe një pjesë të brumit, pasi kam bërë format, i kam kaluar në vezë të rrahur dhe i kam sperkatur sipër me sheqer të përzierë më kanellë. Pjesës tjetër, pasi i kam bërë nga një gropëzë sipër, i kam vënë sipër reçelin tim të preferuar të qershisë. Kurse sasinë e tretë të brumit e kam pasuruar me kakao të hidhur dhe arrë kokosi.

 

Përbërësit për 40 – 50 biskota

380 g miell

80 g sheqer pluhur

325 g gjalpë në temperaturë ambienti

50 g niseshte

1 lugë gjelle ujë të ftohtë

Përgatitja

  • Për të bërë bazën e biskotave, në një tas përzihet mielli, sheqeri pluhur dhe niseshteja.
  • I shtohet gjalpi i prerë në kubikë të vegjël, trazohet me majat e gishtave.
  • Hidhet uji dhe masa punohet derisa të bëhet brumë
  • Brumi vendoset në qese plastike dhe mbahet në frigorifer për një orë, ose deri të nesërmen.

Pasi bëhen format e dëshiruara, piqen në furrën e nxehur paraprakisht në 175 gradë për rreth dhjetë minuta. Nëse e ndani brumin në disa pjesë për shije të ndryshme, atëherë kjo duhet bërë përpara futjes në frigorifer.