“Kur ne të jemi në kohët e qershive do të jemi të gjithë në festë”, shkruante dikur Jean-Baptiste Clément në një nga poezitë e tij, që Yves Montand do e bënte të pavdekshme në këngën “Le temps de cerises”, Kohët e Qershive. Që nga ajo kohë me afrimin e majit, kur frutat e kuqe me pamjen më të bukur në botë nisin të shfaqen në dyqanet e frutave, njerëzit e kanë bërë të pashmangshme lidhjen e kohës së qershive me stinën më të bukur të dashurisë.
Ndoshta sepse ditëlindja ime është pikërisht në stinën e qershive dhe kujtimet e fëmijërisë i kam gjithmonë me kokrrat e kuqe nëpër veshë, ndoshta sepse më duket fruti më i bukur si dekor, ndoshta pikërisht sepse zgjat pak, për mua kjo është vërtetë koha më e bukur e vitit (më pyesni njëherë dhe në Krishtlindje). Gjithsesi, meqënëse qershitë dolën, le të nisin festimet me një cheese cake me qershi dhe të vijojmë gjatë gjithë kësaj kohe me shumë e shumë receta të tjera. Duke shpresuar që stina e qershive të zgjasë sa më shumë, ndryshe nga sa përfundon kënga e Montand: “por është fare e shkurtër koha e qershive, si varëse koralesh që mblidhën në ëndrra”.
Përbërësit për një tavë me diametër 22 centimetër:
200 gramë biskota integrale, 100 gr gjalpë; 500 gr djathë Philadelphia; 140 gr sheqer; 2 vezë; 2 lugë kafeje miell; 1 bustinë vanilje.
Për qershitë e karamelizuara
300 gr qershi pa bërthamë të ndara në mes; 60 gr sheqer, dy lugë kafeje ujë
Përgatitja:
Në një enë shkrijmë gjalpin dhe e lëmë të frohet. Grijmë biskotat në mikser. I shtojmë gjalpin dhe e përziejmë bashkë me të. E shtrojmë brumin e biskotave të tavën që e kemi veshur me lëtër kuzhine, e ngjeshim me fundin e një gote dhe pastaj e lëmë për rreth gjysmë ore në frigorifer.
Ndezim furrën në 175 gradë.
Në një tas përziejmë me pirun kremin e djathit me sheqerin. Shtojmë dy vezët, vaniljen e miellin dhe i trazojmë mirë derisa të bëhen si krem.
E shtrojmë kremin mbi shtresën e biskotës dhe e lëmë tavën në furrë rreth gjysmë ore, sa të marrë ngjyrë të artë.
Ndërkohë që keku ftohet, përgatisim qershitë e karamelizuara. Në një tenxhere të vogël hedhim sheqerin me ujin dhe i përziejmë vazhdimisht, derisa të formohet karameli. Shtojmë qershitë dhe i lëmë në zjarr të mesëm, derisa të avullojë uji që lëshojnë. Pasi të jenë ftohur i vendosim mbi ëmbëlsirë.
Mirë është ta lëmë ndonjë orë në frigorifer, nëse na lë nepsi.