Lakra Brukseli të maskuara në Pancake me gjëra të mira

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Ka një mënyrë që të hash të gjitha ato gjëra (kryesisht perime) që nuk të pëlqejnë: t’i maskosh me gjëra që i ha shumë. Përshembull këto pancake e bëjnë shumë të mirë shijen e lakrave të Brukselit, që shumica e njërëzve mesa kam pare, nuk i kanë fare qejf (në blog i gjeni të gatuara dhe në dy a tri variante të tjera shumë të shijshme). Dhe meqë kanë shumë vlera ushqyese dhe ndihmojnë për të ulur kolesterolin, për shëndetin e kockave, sytë, trurin e etj, ia vlen t’i fusim në menunë tonë. Në këtë variant, besoj se u pëlqejnë dhe fëmijëve, ndërsa të rriturit do të dashurohen me salcën dhe shoqërimin me salmon. Nëse nuk e hani salmonin e tymosur, mund ta shoqërini me çdo lloj proshute. Bëhen shumë thjeshtë dhe meqë kemi dhe fundjavën përpara, mund të jenë një ide e mirë për brunch.

Përbërësit:

Tre vezë mesatare. 150 gr qumësht; 90 gr miell; 1 lugë çaji pluhur;  ¼ lugë çaji paprika të tymosur; 300 gr lakra brukseli të grira në rende; lëkura e grirë në rende e gjysmë limoni dhe lëngu i tij (gjysmën tjetër e bëjmë feta për ta servirur); vaj luledielli për skuqje; 6 lukë gjelle crème fraiche (mund ta zëvendësoni me kos të trashë); 2 lugë gjellë mustardë Dijon; një dorë kopërr të grirë dhe pak për servirje; 8 feta të holla salmon të tymosur.

Përgatitja

Në një tas bëni bashkë vezët me qumështin, miellin, pluhurin pjekës dhe paprikën, përziejini sa  ë bëhen brum, shtoni lakrat e grira dhe lëkurën e limonit dhe përziejini mirë.

Ngrohni një tigan të madh në zjarr mesatar dhe hidhni fare pak vaj. Skuqeni brumin si pancake të zakonshëm, nga 2-3 minuta në çdo anë, derisa të marrin ngjyrë të artë. Mbajini të ngrohtë në furrën e sobës fare pak të nxehur, derisa të gatuani edhe pjesën e mbetur të brumit. Gjatë skuqjes mund të shtonin edhe më vaj nëse nevojitet.

Bashkoni kremin, mustardën, lëngun e limonit dhe koprrën në një tas të vogël, shtoni kripë sipas dëshirës. Shërbejini pancake-et me salcën e bardhe, salmonin, fera limoni dhe pak kopërr.