Mjalti dhe xhenxhefili me kanellën janë shpallur zyrtarisht si aromat e festës. Por ja që unë nuk mjaftohem vetëm me festat. Dhe mbi të gjitha biskotierja e re prej qeramike (“handmade” në prodhim dhe vizatime), e sapoblerë në Cappadocia gjatë udhëtimit të festave, duhej përuruar në mënyrën më të mirë të mundshme: me biskotat më të shijshme që kam provuar në fund të vitit të shkuar. Shumë erëza të tjera veç xhenxhefilit dhe kanellës së zakonshme i bëjnë biskotat më erëmira se kurrë, gjalpi pastaj i bën të shkrihen në gojë. Ndaj le të mos mjaftohemi me një muaj, gjithë viti nuk do të na mjaftojë për t’i shijuar.
Përbërësit për rreth 45 copë:
340 gr miell; gjysmë luge erëza të përziera (unë e bleva përzierjen tek Nëranxi, me cardamom, piper të zi, anice, koriandër etj, në mundesë të saj mund të bëni vetë një përzierje); 1 lugë të vogël xhenxhefil të tharë e të bluar; gjysmë luge arrë moskat të bluar; një gjysmë lugë e vogël kanellë; një gjysmë lugë e vogël karafil i bluar; një çerek lugë e vogël sodë buke; 120 gr gjalpë në temperaturë ambienti; 150 gr sheqer kaf; 120 gr mjaltë; 1 vezë; një lugë e vogël vanilje.
Për spërkatjen sipër:
150 gr sheqer pluhur, një lugë kanellë.
Përgatitja:
Qëkur në shtëpinë time ka hyrë kombinati ushqimor SMEG çdo gjë është bërë shumë e thjeshtë: hedh përbërësit një nga një dhe biskotat bëhen vetë (pa të thjesht do ju duhet të rrihni në rrahësen elektrike përbërësit).
Në fillim rrahim gjalpin dhe sheqerin dhe pastaj shtojmë mjaltin dhe i rrahim derisa të bëhen krem. Shtojmë vezën dhe i rrahim sërish.
Në një enë përziejmë miellin bashkë me erëzat, vaniljen dhe sodën. E shtojmë pjesë pjesë përzierjën tek brumi dhe vazhdojmë rrahjen, derisa të jetë formuar një brumë i plotë. E marrim brumin me lugë dhe pastaj formojmë me dorë toptha, që i shtrojmë në tavën e shtruar me letër kuzhinë.
I pjekim për rreth 10 minuta në furrën e nxehur më parë në 180 gradë. Pasi ftohen pak i kalojmë në sheqerin pluhur të përzierë me kanellë.